Me muzikën e “La Piovra” në sfond, Çim Peka paralajmëron intervistën e re me Arben Ahmetajn: Vetëm dosje të argumentuara sipas ish-zv.kryeministrit

Ditën e enjte, në orën 20:45, shqiptarët do të kenë mundësinë të ndjekin një tjetër kapitull nga saga e intervistave të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj me Çim Pekën.

Ky do të jetë takimi i katërt i Ahmetajt në “Çim Peka Live”, pas intervistave të mëparshme ku nuk ka kursyer kritikat ndaj Edi Ramës, por edhe ndaj ish-kolegeve të tij në Partinë Socialiste.

“Dosje, dosje, dosje, dosje, dosje të audituara, të shpjeguara dhe të publikuara sot në këtë intervistë, të cilat kanë një surrat nga mbrapa, i cili është përfituesi Edi Rama!”, dëgjohet të thotë Çim Peka në promon e postuar, duke paralajmëruar kështu një intervistë të “nxehtë” krah ish-numrit dy të qeverisë Rama dhe një prej besnikëve dikur të kreut të qeverisë.

Postimi i Pekës është shoqëruar me kolonën zanore “La Piovra”, një muzikë e njohur për simbolikën e saj që lidhet me përplasjet me drejtësinë, kërcënimet dhe botën e krimit.

Pas shpalljes në kërkim nga SPAK, Arben Ahmetaj është strehuar në Zvicër, ku ka marrë azil politik. Edhe pse larg vendit, Ahmetaj duket i vendosur të vijojë ekspozimin e “aferave” që ai i quan “të pazbardhura” nga qeverisja Rama.

© Credits syri.tv

Arben Ahmetaj u shpall në kërkim më 10 korrik 2023, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurie”.

Ish-zv.kryeministri aktualisht qëndron në Zvicër ku dhe ka kërkuar azil politik, së bashku me vajzën dhe partneren e tij. Që prej arratisjes së tij, kur u shpall dhe në kërkim, autoritetet shqiptare kanë kërkuar ekstradimin e ish-zëvendëskryeministrit, por mbeten ende të paqarta se në çfarë pike janë procedurat.

Përveç hetimeve për inceneratorin e Elbasanit, Ahmetaj akuzohet gjithashtu dhe për veprën penale “shpërdorim detyre” në vlerë dëmi rreth 7 miliard lekë të vjetra lidhur me privatizimin e frabrikës “Buka”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT