Me syze dielli mbi “hundë” dhe pistoletë në dorë, MOMENTI kur polici i Burgjeve ndjek me vrap të arratisurin (FOTO)

Newsbomb.al ka siguruar foton e efektivit të Policisë së Burgjeve, i fotografuar jashtë ambienteve të Spitalit Rajonal të Durrësit, në momentin kur po ndiqte nga pas të burgosurin Altin Ndoci i cili arriti të arratisej mesditën e kësaj të marte.
Në foton e mëposhtme shihet polici i burgjeve i vetëm, teksa në duar mban pistoletën e shërbimi. Sipas burimeve të deritanishme Ndoci e ka goditur me grusht efektivin shoqërues brenda në spital, duke përfituar nga momenti për t’u larguar me vrap jashtë godinës.
Ashtu sikurse bëmë me dije dhe më herët Altin Ndoci ndodhej prej dy ditësh i shtruar në repartin e Infektivit të Spitalit të Durrësit, ku po merrte ndihmë mjekësore për disa probleme shëndetësore të shfaqura ditët e fundit.
Por, mesa duket, kjo “vizitë” në spital është shfrytëzuar nga Ndoci si mundësi për t’i shpëtuar drejtësisë. Burime për mediat bënë me dije se ai u kishte kërkuar efektivëve të Policisë së Burgjeve që ta shoqëronin për në tualet. Ndoci ishte shoqëruar nga dy punonjës policie dhe sapo ka dalë nga ambientet e tualetit, i ka sulmuar fizikisht, duke arritur të arratiset nga kati i tretë i spitalit.
Përmes shkallëve të brendshme, ai ka zbritur me shpejtësi dhe është zhdukur brenda pak çastesh nga ambientet e spitalit. Edhe pse njëri prej efektivëve ka qëlluar me armë zjarri në ajër, në përpjekje për ta trembur dhe ndaluar, Ndoci nuk është ndalur për asnjë moment.
Sipas informacioneve paraprake, i arratisuri ka hipur më pas në një automjet tip “Audi”, ngjyrë e bardhë, i cili dyshohet se e priste jashtë ambienteve të spitalit. Dyshimet janë se ai është drejtuar drejt zonës së Spitallës, ndërsa Policia ka ngritur postoblloqe në të gjitha hyrje-daljet e qytetit të Durrësit dhe po vijon kontrollet intensive.
Në një deklaratë zyrtare të bërë më herët, Policia e Burgjeve konfirmoi ngjarjen, duke sqaruar se: “Paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”.