Ndërhyrje e veçantë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, mjekët zëvendësojnë aortën e dëmtuar përmes kirurgjisë koronare mini-invazive, Rama ndan pamjet

Një ndërhyrje e veçantë kardiovaskulare është kryer me sukses në Qendrën Spitalore Universitare “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.
Ndërhyrja është bërë për zëvendësimin e valvulës aortale të dëmtuar, përmes procedurës TAVI, e cila aplikohet për herë të parë në vendin tonë.
Ishte kryeministri Edi Rama i cili mbrëmjen e sotme ka ndarë pamjet nga ndërhyrja e kryer, duke e cilësuar atë një risi të rëndësishme për mjekësinë publike në vend.
“Në Qendrën Spitalore Universitare ‘Shefqet Ndroqi’ është realizuar me sukses ndërhyrja për zëvendësimin e valvulës aortale të dëmtuar, përmes përdorimit të teknikës moderne mini-invazive, një risi për strukturat mjekësore publike”, shkruan Rama në Facebook.
Ndërhyrja është kryer nga kardiologët Meriton Siqeca dhe Agron Meshi. Mjeku Meriton Siqeca ka shpjeguar procedurën theksoi se bëhet fjalë për një teknikë minimalisht invazive, që shmang kirurgjinë e hapur.
“TAVI është një procedurë minimalisht invazive me anë të së cilës bëhet zëvendësimi i një valvule aortale të dëmtuar. Kjo procedurë realizohet me rrugë trans-femorale, pra nga arteria e rrëzës së kofshës dhe janë dy raste që janë realizuar për herë të parë në sistemin shëndetësor publik në Shqipëri”, u shpreh ai.
Ndërsa mjeku tjetër Agron Meshi vuri në dukje përfitimet kryesore për pacientët. Ai shtoi se kjo teknikë është veçanërisht e rëndësishme për pacientët që nuk mund t’i nënshtrohen kirurgjisë tradicionale për shkak të problemeve shëndetësore shoqëruese.
“Përfitimet më të mëdha të kësaj procedure janë që pacienti e shmang çarjen e madhe në mes të gjoksit dhe gjaku nuk kalon në qarkullim jashtëtrupor gjatë procedurës. TAVI, kjo procedurë që është miniinvazive, i ndihmon shumë këta pacientë që e kanë të pamundur të bëjnë kirurgjinë e hapur. Një nga pacientët tanë kishte probleme me veshkën dhe ishte e pamundur që kardiokirurgët ta realizonin ndërhyrjen. Procedura u krye në qendrën tonë dhe doli me sukses”, shtoi ai.
Edhe vetë pacienti që iu nënshtrua kësaj ndërhyrjeje ndau përvojën e tij, tha se ndërhyrja është refuzuar nga disa mjekë për shkak të riskut të lartë.
“Vajta te dy kirurgë, por ata nuk ma morën përsipër sepse e kishin të pamundur që të më bënin operimin për shkak të problemeve me veshkat. Erdha te spitali ‘Shefqet Ndroqi’ dhe këta ma kryen ndërhyrjen. Jam shumë mirë dhe kam mbetur shumë i kënaqur nga i gjithë stafi këtu”, u shpreh ai.