“Ndërtojmë rrugë, por kemi njerëz që s’dinë si të sillen me to”, Selami Xhepa: Shqipëria duhet të kalojë nga betoni dhe asfalti tek infrastruktura sociale (VIDEO)

Nëse do të kishte lirinë të formësonte axhendën ekonomike të Shqipërisë për vitin 2026, eksperti i ekonomisë Dr. Selami Xhepa shprehet në Apostrof se do të vendoste në qendër një debat që, sipas tij, shoqëria shqiptare e ka shtyrë për shumë kohë: raportin mes investimeve në infrastrukturën fizike dhe zhvillimit social.
Sipas Xhepës, modeli aktual i zhvillimit ka krijuar një disproporcion të thellë, ku nga njëra anë, fondet publike janë përqendruar kryesisht tek infrastruktura fizike — rrugë, asfalt, beton — ndërsa nga ana tjetër janë lënë pas arsimi, shëndetësia dhe zhvillimi i individit në tërësi. “Kemi ndërtuar rrugë që nuk mbarojnë, rrugë që shemben, rrugë që edhe kur përfundojnë prodhojnë sërish trafik,” thekson ai.
Sipas Xhepës problemi nuk qënrdon vetëm te cilësia e investimeve, por te filozofia që i udhëheq ato. Ai argumenton se Shqipëria vazhdon ta shohë zhvillimin kryesisht në terma betoni apo asfalti, ndërkohë që ka neglizhuar aspektin social të shoqërisë. Kjo ka sjellë edhe paradokse të dukshme: ndërtohen rrugë, por mungon kultura e sjelljes në rrugë; ndërtohen lulishte, por mungon sjellja qytetare në hapësirat publike.
Për këtë arsye, ai thekson se është i domosdoshëm një rishikim serioz i tavaneve buxhetore dhe i prioriteteve të investimit. Kufizimi i shpenzimeve për infrastrukturën “hard” dhe orientimi drejt “infrastrukturës sociale” — arsimit, shëndetësisë, formimit të individit — është, sipas tij, kusht për një zhvillim më të qëndrueshëm dhe më të drejtë. Balanca aktuale, sipas tij, është e anuar dhe kërkon korrigjim urgjent.
Episodi i plotë i Apostrof Podcast publikohet të dielën, ora 17:00
Rrugë, beton, apartamente… po për kë? | Selami Xhepa | Apostrof #53