Ndryshimet në Kodin Penal/ Besfort Lamallari ia thotë “troç” deputetëve të PD-së: Për kallëzimet “pushka top ju bëftë”, për shpifjet do të mbani përgjegjësi

Ministri i Drejësisë Besfort Lamallari ka ironizuar deputetët e Partisë Demokratike, të cilët kanë kundërshtuar draftin me propozimet për ndryshimet në Kodin Penal. Në Kuvend po vijon diskutimi për ashpërsimin e dënimit për një sërë veprash penale, ndërsa pritet të votohet dekriminalizimi i veprës penale të shpifjes për gazetarët.
Nga ana tjetër, opozita ka kërkuar që dënimi për shpifjen të hiqet për të gjithë pa përjashtim, nismë kjo që nuk është pranuar nga mazhoranca.
Lamallari drejtuar opozitës, tha se do të mahet përgjegjësi nga ana e tyre për çdo shpifje, ndërsa përsa i përket kallëzimeve penale “pushka top ju bëftë”.
“Është Ministria e Drejtësisë që komunikon me Komisionin Europian. Ka shumë të drejtë deputeti Manja kur thotë që e gjitha është për ta marrë flamurin, kishit mundësi shumë vite ta merrnit flamurin, nuk e morët. Gazetarët dënoheshin atëherë me ligj. Keni merakun, meqë u hap kjo e dekriminalizimit të shpifjes, meqë bëhet për gazetarët, përfitojmë edhe ne se dy gjëra na kanë ngelur, ose shpifja ose gjysmë kallëzimet, kërkesat për informacione që i paraqisni si kallëzime. Për këtë të dytën, pushka top, për shpifjet jo, do të mbani përgjegjësi“, tha Lamallari.