“Nga noter u bë prokuror”, Erion Veliaj nuk ndal “hakmarrjen” ndaj Ols Dados, e padit në Gjykatë së bashku me institucionin e Presidentit: Të hiqet nga puna

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka vendosur që të marrë “hak” ndaj prokurorit që e prangosi në shkurt të vitit të kaluar, Ols Dados.
Ai ka depozituar së fundmi një padi në Gjykatën Administrative ku kërkon shpalljen e pavlefshmërisë absolute të emërimit të prokurorit Dado. Sipas Veliajt, Dado ishte noter në vitin 2008 dhe nuk kishte mbaruar Shkollën e Magjistraturës, që ishte kusht ligjor për t’u bërë prokuror.
Në padinë e tij, Veliaj kërkon që edhe Presidenti i Republikës së asaj kohe, Bamir Topi, i cili ka firmosur dekretin e emërimit, të konsiderohet përgjegjës për emërimin e paligjshëm dhe që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ta heqë Dadon menjëherë nga detyra, pasi sipas tij, ai ka ushtruar detyrën në mënyrë të paligjshme.
Më tej theksohet se të gjitha veprimet penale të kryera ndaj Veliajt, përfshirë masat e sigurisë dhe kufizimet në detyrën e kryebashkiakut, mbështeten mbi një akt emërimi që është “nul ab initio”, pra i pavlefshëm që nga fillimi.
Kujtojmë se menjëherë pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, ndaj prokurorit që firmosi urdhrin nisi një fushatë e ashpër shpifjesh dhe fyerjesh në media, me qëllim denigrimin e figurës së Ols Dados dhe në tentativë për të tjetërsuar faktet e arrestimit.
Jo më larg se disa ditë më parë në media rrodhi një faksmile ku tregonte se Veliaj ka lobuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër prokurorit Ols Dado, gjyqtarit të posaçëm Erion Bani dhe Prokurorisë së Posaçme. Vlera është plot 220 mijë dollarë ose rreth 220 milionë lekë të vjetra.
Një pjesë nga dokumenti në gjuhën angleze doli në media dhe tregonte mënyrën sesi Erion Veliaj është përpjekjur të denigrojë figurën e prokurorit dhe gjyqtarit të posaçëm, duke i bërë ata anëtarë aktivë të Partisë Demokratike.
Ndërsa për Prokurorinë e Posaçme (SPAK) thotë se ajo ka diktuar caktimin e gjyqtarit nga Gjykata e Posaçme (GJKKO).
“Hetimi i SPAK ndaj Erion Veliajt drejtohet nga prokurori Ols Dado, i cili është në konflikt interesi. Dado është anëtar aktiv i Partisë Demokratike, e drejtuar nga ish kryeministri Sali Berisha, i cili është sanksionuar dhe i është ndaluar hyrja në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar. Berisha dhe Partia Demokratike synuan rikthimin në pushtet në zgjedhjet e 11 majit.
Nga ana tjetër, Dado është edhe zhvillues pronash në Tiranë. Ai ka paraqitur pranë Bashkisë një kërkesë për ndryshimin e një lejeje ndërtimi për një pronë, por kjo kërkesë është refuzuar. Në një situatë të pazakontë dhe problematike, ai sot po heton Erionin, si edhe ndërtues të tjerë, të cilëve u janë miratuar leje ndërtimi në Tiranë.
Nuk ka asnjë provë për shkelje ligjore në procesin e miratimit apo refuzimit të këtyre lejeve. Megjithatë, Erioni është i vetmi person nën hetim që është vendosur në paraburgim.
Gjyqtarët e SPAK caktohen sipas një sistemi rotacioni. Në këtë rast, SPAK duket se është siguruar që çështja e Erionit t’i caktohej një gjyqtari me lidhje të njohura me Partinë Demokratike” (e ka fjalën për Erion Banin)”, thuhej në dokumentin e fragmentarizuar që ka rrjedhur në media.