Nis leximi i 214 faqeve hetim për gjyqin CEZ-DIA, “insistimi” i ish-presidentit: SPAK kuptoi më në fund dallimin mes METE-s dhe Ilir Metës së vërtetë

Pas shumë seancash të zvarritura për arsye mungesash. Një herë avokatësh e një herë të pandehurish, sot në GJKKO nisi leximi i akteve të prokurorisë, me qëllim dërgimin e çështjes së ish-presidentit Ilir Meta në gjyq.

Vetë kreu i Partisë së Lirisë ka reaguar në rrjete sociale duke thënë se edhe sot mungonte një prej të pandehurve, por ishte insistimi i tij që seanca dhe leximi i 214 faqeve të vazhdonte. Deri më tani janë lexuar vetëm 41 prej tyre.

Ndër të tjera Meta shkruan se prokurorët e SPAK kanë arritur të kuptojnë diferencën mes METE-s (Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes) dhe vetë Metës, ky i fundit sipas tij, i pafajshëm.

Ilir Meta akuzohet se si ish-ministër i Energjetikës, përdori pushtetin për lidhjen e kontratës për borxhet e CEZ, ku DIA me administrator Kastriot Ismailin, fitoi 6.5 milionë euro edhe pse nuk përmbushte kriteret ligjore. Në këmbim, SPAK thotë se Meta ka kërkuar dhe ka marrë shuma të konsiderueshme parash kur si ministër duhet edhe të monitoronte zbatimin e kësaj kontrate.

SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit. Hetimi përfshin tre çështje të bashkuara në një dosje: aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror.

Ish-presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, i arrestuar më 21 tetor 2024, akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendoorë”, “pastrim parash” dhe “Mosdeklarim pasurie”. Në të njëjtën dosje me të po gjykohet dhe ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi e akuzuar për “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “mosdeklarim pasurie”. Politikani Piro Xhixho akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv”, Fatime Kryemadhi (nëna e Monika Kryemadhi) akuzohet për “pastrim parash” ashtu si dhe Ema Çoku.

Reagimi i plotë i Ilir Metës:

I ftoj të gjitha mediat të jenë korrekte dhe të mos shpërndajnë dizinformacione, sikur gjoja seanca paraprake ndaj Ilir Metës është shtyrë për javën tjetër.

JO!

Më në fund seanca paraprake u zhvillua edhe pse mungonte një nga të bashkëpandehurit dhe avokatët e tij.

Ishte insistimi im që kjo seancë më në fund të fillonte dhe e falënderoj gjyqtaren e seancës paraprake që e mori këtë vendim.

Për 4 orë kemi dëgjuar prokurorët që lexonin akuzat e tyre për CEZ-DIA, që ishin siç ju a kanë shpërndarë më 21 tetor 2024.

U detyruam të ndërhynim disa herë, jo për t’i ndërprerë prokurorët, por për t’i ndihmuar të mos gënjejnë para gjykatës.

Afera e CEZ-DIA, ku shteti shqiptar ka fitim se ka humbur rreth 1.1 milion euro por ka fituar mbi 4 milion euro.

Arritja më e madhe është se prokurorët pas 8 vitesh hetime kuptuan më në fund dallimin midis METE- (Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës) dhe Metës sepse vazhdimisht i referoheshin METE-s si Meta.

Kishte dhe plot arritje të tjera, por këto mund t’i sqarojnë avokatët.

Kështu që SEANCA NUK U SHTY, SEANCA FILLOI.

Edhe prokurorët e kuptuan që METE nuk është Meta.

Seanca tjetër u la pas një jave edhe pse kërkova të bëheshin dy seanca në një javë.

Ilir Meta, as i është shmangur drejtësisë, as nuk bëj lojra për shtyrje seancash.

Në fund të gjithë kësaj farse kriminale të diktuar nga “Palloshi i gjatë” do të dalë, jo vetëm që METE nuk është Meta, por që ILIR META ËSHTË E VËRTETA.

Sidoqoftë dua t’i falenderoj prokurorët e SPAK që u kanë dhënë leje gazetarëve për të më intervistuar dhe e ftoj Ministrin e Drejtësisë të mos bëhet më pengesë sepse jo vetëm Navalny dhe Khodorkovsky kanë dhënë intervista në burgjet e Rusisë, por edhe në Shqipëri, jo vetëm politikanë të paraburgosur dhe të burgosur, por edhe të dënuar me burgim të përjetshëm kanë dhënë intervista televizive sepse çdo qytetar, sidomos çdo politikan, ka jo vetëm të drejta por edhe detyrë t’i përgjigjet çdo gazetari dhe media në interes të opinionit publik dhe të llogaridhënies.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT