Një krahasim që provon se Durrësi nuk u mbyt nga “sasi e pazakontë” reshjesh

Nga Orgen Peci

Deklarata e kryeministrit Rama se përmbytjet janë pasojë ekskluzive e kushteve atmosferike shmang thelbin e problemit. Reshjet janë faktor natyror, por përmbytjet janë pasojë e mungesës së mirëmbajtjes, shkatërrimit të sistemit kullues dhe keqmenaxhimit të territorit.

Nëse infrastruktura do të funksiononte, shiu nuk do të kthehej automatikisht në katastrofë.

Edhe premtimi për dëmshpërblim nuk është zgjidhje, por ripërsëritje e të njëjtit cikël: para publike që paguhen sërish nga taksapaguesit, pasi një herë janë shpenzuar (ose vjedhur) për infrastruktura që sot nuk kryejnë funksionin e tyre.

Qytetarët nuk kanë nevojë për qetësim pas fatkeqësisë, por për parandalim para saj. Transparencë, përgjegjësi dhe funksionim real i investimeve publike, kjo është emergjenca e vërtetë që kryeministri e ka artikuluar kur nuk ishte në pushtet por sot e mohon.

Në këtë link (kliko) gjendet një shkrim bindës që e sfidon lidhjen e thjeshtë “reshjet = përmbytje”. Faqja “Faktoje” ka dokumentuar qartë se reshjet në zonën e Durrësit nuk ishin një fenomen i pazakontë meteorologjik. Krahasimi me vitet e mëparshëm e nxjerr qartë. Përmbytja është rezultat i korrupsionit, neglizhencës, mungesës së mirëmbajtjes dhe planeve të dobëta urbane.

Megjithëse janë shpenzuar dhjetëra miliona euro, sistemi nuk funksionon efektivisht. Kjo do të thotë se e keqja nuk është moti.

Kryeministri kërkon durim. Nuk kërkohet durim për reshjet, kërkohet përgjegjësi për menaxhimin e territorit.

Deklaratat e Ramës

Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së Emergjencave qetësoi qytetarët e prekur nga përmbytjet, se ata do të dëmshpërblehen për humbjet që kanë pësuar, si për banesat apo për gjënë e gjallë.

Ai tha se kushtet atmosferike që goditën rajonin, por dhe Shqipërinë, çuan në këtë situatë.

“Nëse reshjet e pazakonta të ditëve të fundit përmbyten vende në krejt rajonin tonë, Shqipëria nuk reagoi si dikur kur edhe një shi i zakonshëm bënte ujë dynjanë sepse sot Shqipëria është krejt tjetër. Kur ne erdhën në qeveri në malin e borxheve që na lënë në trashëgimi aleatet e shiut ishte edhe një pjesë e tërë borxhet nga përmbytjet e Shkodrës. Ne i shlyem ato borxhe dhe nuk kemi hyrë më në borxh të kësaj natyre me njerëzit. Investimet prej 250 mln euro në dekadën e fundit kanë rindërtuar 536 kanale ujitëse dhe kulluese që ishin të stërpërgjysmuara. Kanë përforcuar argjinaturat, kanë futur në punë 12 hidrovorë që kishin pushuar se punuari prej vitesh.

Ka akoma mësime për të nxjerrë dhe për të mbushur. Por nëse reshjet e pazakonta ranë dhe përmbytën shumë vendet të rajonit, sot Shqipëria ka reaguar ndryshe. Sot kemi rritur ndjeshëm reagimin. Kemi dalë më të fortë para fatkeqësive. Sot dua t’i siguroj dhe të dëmtuarit e kësaj here, do t’i qëndrojmë me dinjitet shtetëror çdo detyrimi ndaj tyre, për banesat dhe gjënë e gjallë”, tha ai.

Mes të tjerash ai porositi deputetët e PS-së që të jenë në zonat e përmbytura, për të ndihmuar banorët.

“Dua t’u them deputetëve të shumicës qeverisëse të pranishëm në këtë mbledhje përmes zoom-it që të jenë të angazhuar dhe sot dhe nesër, edhe pasi momenti i vështirë të jetë kapërcyer, pranë njerëzve, për njerëzit.”, pohoi ai.

Ministri i Financave u shpreh se:

“Në programin e emergjencave civile kemi parashikuar 30 milionë euro, që janë shpenzime kapitale për programin e emergjencave civile dhe ka të bëjë me financimin e objekteve dhe projekte, të cilat lidhen me parandalimin e fatkeqësive natyrore. Vlera që kemi alokuar për këtë program është 15 milionë euro. Kemi planifikuar fondin e kushtëzuar për emergjencat civile që  është rreth 10 milionë euro, menaxhohet nga Mbrojtja.

Kemi dhe fondin rezervë të Këshillit të Ministrave, në vlerën 25 milionë euro, e cila do vendoset në dispozicion në varësi të vlerësimeve që do të bëhen në varësi të dëmeve të shkaktuara. Kemi fondin për digat dhe rezervuarëve. Ky fond është rreth 5 milionë euro. Në total, nëse do të bënim një vlerësim të fondeve që kemi në dispozicion vlera shkon mbi 50 milionë euro, që janë të disponueshme për situatën e krijuar aktualisht”.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu u shpreh se janë të angazhuar 502 forca në terren lidhur me situatën e përmbytjeve në vend. Gjatë fjalës së tij në Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civil ai tha se, se 460 persona të evakuuar janë akomoduar në struktura shtetërore ndërsa një pjesë tjetër në struktura hotelerie.

Sipas Vengut, rezervat materiale të shtetit kanë mundësuar dislokimin e pakove ushqimore dhe materiale si krevate dhe elementë mbështetës.

“Forcat e armatosura u angazhuan qe ditën e hënë. Kemi patur angazhimin 502 forca në terren dhe gjendjen ende ne terren. 80 mjete, fadroma, varka, 22 motopoma sidomos në zonat e banuara për të ndihmuar në evokimin e ujit, zjarrfikës dhe autoambulanca.

Forcat  armatosua janë të angazhuar në Shkodër, Lezhë, Kurvin, Durrës, Fier, Vlore, Delvinë dhe Gjirokastër për të mundësuar tre aspekte, përparësia siguria e jetës dhe ndihmesa e për evakuimin e ujërave dhe rikthimin e qytetareve në banesat e tyre.

Nga ana tjetër për sa i përket elementeve mbështetës për banorët e evakuuar, 460 gjendet te akomoduar në struktura shtetërore te tjerët janë në struktura hoteliere. Rezervat materiale të shtetit kanë mundësuar dislokimin e pakove ushqimore dhe materiale si krevate dhe elementë mbështetës”, tha Vengu.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT