“Nuk do largohemi nga sheshi”, protesta e 10 shkurtit, Berisha paralajmëron “çadër” para Kryeministrisë: Edi Rama mbrapa diellit të shkojë, shpresë nuk ka më për të

Pasi ditën e djeshme njoftoi se në datën 10 shkurt, opozita do të mbajë protestën e radhës kombëtare, Sali Berisha ka paralajmëruar se tubimi mund të mos mbyllet në një ditë.

Berisha tha se kjo është kërkesë e qytetarëve dhe është kërkesë e drejtë dhe rruga më efikase për të larguar “regjimin” nga pushteti.

Miq, gjatë këtyre ditëve janë me qindra qytetarë dhe qytetare që kërkojnë me shumë të drejtë që në protestë të mos largohemi nga sheshi pa realizimin e qëllimit tonë. Kjo është një kërkesë jashtëzakonisht e drejtë dhe është rruga e vetme efikase për të larguar këtë regjim nga pushteti. Por kjo kërkon nga secili nga ne që të bindim gjithnjë e më shumë qytetarë se qëndrimi në shesh për aq kohë sa ta largojmë regjimin është rruga më e sigurt e fitores tonë. U garantoj se drejt asaj në mënyrë të pandalshme do të shkojmë”, tha Berisha.

Po ashtu kryedemokrati lëshoi edhe një paralajmërim për kryeministrin Edi Rama, për të cilin tha se nuk ka më “shpresë”.

Edi Rama të bëjë ç’të dojë, mbrapa diellit të shkojë, shpresë nuk ka, do shkojë aty ku e ka vendin, aty ku e kanë vendin hajdutët dhe kriminelët që qeverisin një vend me lidhje të forta me kartelet e drogës, krimin dhe farsë elektorale. Ndaj dhe duke u falenderuar shumë për atë angazhim të jashtëzakonshëm që treguat më 24 janar, u ftoj të shumëfishojmë forcat dhe të bashkohemi në protestën e ardhshme. Të tregojmë fuqinë tonë, të tregojmë vendosmërinë tonë, të tregojmë se ne do jemi fitimtarët në këtë vend”, deklaroi kryedemokrati.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT