PD mban “Foltoren” e radhës, Berisha flet për protestën e së shtunës: Shqiptarët po e presin me padurim 24 janarin, askush mos të mungojnë

Partia Demokratike ka mbajtur sot “Foltoren” e 9-të radhazi përballë Kryeministrisë, ku duket se në këtë tubim, ka pasur një numër të pakët të pjesëmarrësve, teksa të pranishëm ishin vetëm disa militantë dhe deputetë të PD-së.

Tubimi zgjati për rreth 40 minuta dhe fjalimin përmbyllës e mbajti kreu i PD-së Sali Berisha, ndërsa më parë folën disa qytetarë dhe ish-kandidati për deputet Lefter Malqi.

Berisha foli për protestën e paralajmëruar të opozitës më 24 janar, teksa tha se shqiptarët po e presin me padurim këtë protestë.

Ai më tej ftoi qytetarët që t’i bashkohen protestës së opozitës.

“Shqiptarët po presin me padurim revoltën, kryengritjen paqësore, përballen dhëmb për dhëmb me këtë regjim, fitoren e opozitës. Shqiptarët po presin 24 janarin si ditën e tyre, si orën e tyre, si të vërtetën e tyre të madhe. Ndaj secili këtë javë, këto ditë, secili nga ne dhe çdo opozitar, të bëjë gjithçka, të mos i mungojë Shqipërisë më 24 janar. Të mos i mungojë lirisë më 24 janar. Të mos i mungojë guximit qytetar më 24 janar. Të mos i mungojë dinjitetit njerëzor më 24 janar”, tha ai.

Po ashtu kryedemokrati tha se protesta e dhjetorit, u dëgjua në të gjithë botën.

“Miq, mbarë bota po pret fjalën tonë, zërin tonë, guximin tonë, veprimin tonë. Ngjarje të mëdha, protesta e dhjetorit ushtoi fuqishëm në mbarë botën. Zëri juaj u dëgjua në katër anët e planetit”, shtoi Berisha.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT