“Përleshje mes policisë dhe protestuesve”, mediat e huaja i bëjnë jehonë protestës së opozitës! Berisha krenohet në “Facebook”

Teksa disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit ditën e djeshme ishin “nën pushtetin” e protestuesve në përkrahje të opozitës, ky lajm i kaloi kufijtë pasi u shkrua edhe nga disa media ndërkombëtare.
“Në Shqipëri, gjatë protestave kundër politikave të Kryeministrit Edi Rama, pati përplasje me policinë”, shkruan transmetuesi publik i Austrisë, “Zeit im Bild”, teksa ka postuar edhe një foto nga protesta.
Edhe Reuters i ka kushtuar një fotolajm protestës së opozitës nën titullin “Anti-government protests in Tirana”. Ky lajm është postuar edhe nga kreu i PD Sali Berisha nën shkrimin: “Foto Of The Day! Foto e ditës. Kryengritësi guximtar i kthen dhuratën e helmuar Ramaduros. Nderim dhe mirënjohje për aktin guximtar!”
“Përleshje kanë shpërthyer midis policisë dhe protestuesve të opozitës në kryeqytetin e Shqipërisë mbi korrupsionin e dyshuar në qeverinë e Partisë Socialiste, me demonstruesit që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama” kështu e nis artikullin Aljazeera. E cila më tej ka shtuar se protesta tërhoqi mijëra njerëz teksa ka përshkruar përplasjet mes protestuesve dhe policisë teksa ka shtuar duke cituar berishën se “25 prej protestuesve janë arrestuar”.