“Po sillesh si kriminel”, Kuba reagon ndaj paralajmërimit të Trump

Donald Trump e ashpërsoi tonin e tij ndaj Kubës të dielën, duke kërkuar që ishulli të pranonte, “para se të jetë tepër vonë”, një marrëveshje, natyrën e së cilës ai nuk e specifikoi, duke zemëruar homologun e tij në Havana.
“Nuk do të ketë më naftë apo para që shkojnë në Kubë – zero!”, tha presidenti amerikan, me shkronja kapitale, nëpërmjet Truth Social. “Unë i nxis fuqimisht ata të pranojnë një marrëveshje, para se të jetë tepër vonë.”, tha ai.
Mediat e huaja, shkruajnë se, i pyetur për këtë më vonë dje nga gazetarët që e shoqëronin në aeroplanin presidencial, Donald Trump u përgjigj se do të donte që Havana të merrte përsipër trajtimin e atyre që janë larguar nga Kuba, veçanërisht atyre që janë detyruar të largohen.
“Gjëja më e rëndësishme, për momentin, është të merremi me ata që kanë ardhur nga Kuba, që janë qytetarë amerikanë ose janë në vendin tonë”, tha ai, përsëri pa shpjeguar se çfarë donte të thoshte me “të merremi”.
“Kuba është një komb i lirë, i pavarur dhe sovran dhe askush nuk na dikton se çfarë të bëjmë”, kundërshtoi presidenti i saj Miguel Diaz-Canel nëpërmjet X.
“Kuba nuk po sulmon, ka qenë nën sulm nga SHBA-të për 66 vjet dhe nuk po kërcënon, po përgatitet, është gati të mbrojë atdheun e tij deri në pikën e fundit të gjakut”, shtoi ai.
Vendi i tij ka qenë nën një embargo amerikane që nga viti 1962 , e cila u vendos gjatë Luftës së Ftohtë dhe është forcuar me kalimin e viteve.
Komentet e Donald Trump u regjistruan tetë ditë pasi ushtria amerikane u fut në Venezuelë dhe mori me vete Presidentin Nicolas Maduro, një aleat kyç i Kubës, në një operacion ku u vranë dhjetëra anëtarë të forcave të sigurisë në Karakas dhe Havanë.
“Kuba mbijetoi, për shumë vite, falë sasive të mëdha të naftës dhe parave nga Venezuela. Në këmbim, Kuba u ofroi ‘shërbime sigurie’ dy diktatorëve të fundit të Venezuelës, por kjo ka mbaruar”, pohoi zoti Trump.
Kuba kishte nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Venezuelën në vitin 2000 nën presidentin e atëhershëm Hugo Chavez (1999-2013), paraardhësin e Nicolas Maduro. Ajo parashikonte furnizimin me naftë të ishullit në këmbim të dërgimit të mjekëve dhe mësuesve.
“Kriminal i pakontrolluar”
Presidenti amerikan ripostoi gjithashtu një mesazh të dielën, duke deklaruar se Sekretari i Shtetit Marco Rubio, djalë i dy emigrantëve kubanë në SHBA, mund të bëhet president i ishullit të Karaibeve, duke e shoqëruar atë me komentin “kjo më duket mirë!”
Donald Trump dikur shfaqej si një kritik i madh i ndërhyrjeve amerikane jashtë SHBA. Por tani ai deklaron se po zbaton “Doktrinën Donroe”, një lojë fjalësh mes emrin e tij Donald dhe mbiemrit të ish-Presidentit të SHBA, James Monroe. Ky e shpalli në shekullin e 19-të Amerikën Latine si pjesë të sferës së ndikimit ekskluziv të SHBA-së.
Në rrugët e Havanës, Mercedes Simon, një pensioniste 65-vjeçare, dukej se sfidonte kërcënimet e Trump,. “Ai nuk do ta prekë Kubën” tha ajo, duke folur për Agence France-Presse. “Të gjithë presidentët (e SHBA-së) kanë folur, folur, folur (për ishullin) për dekada, por nuk bëjnë asgjë.”
Për Marcos Sanchez , 21 vjeç, një punonjës restoranti, të dy vendet duhet të gjejnë terren të përbashkët, pa përdorimin e dhunës ose çdo veprimi negativ kundër Kubës, në mënyrë që të arrijnë një formë marrëdhënieje.
Ministri i Jashtëm kubanez Bruno Rodriguez komentoi nëpërmjet X se “Shtetet e Bashkuara po sillen si një kriminel dhe një sundimtar i pakontrolluar që kërcënon paqen dhe sigurinë, jo vetëm në Kubë dhe në hemisferën (perëndimore), por në të gjithë botën.”
Në anën tjetër të Ngushticës së Floridës, politikani republikan Mario Diaz-Balart , me prejardhje kubaneze dhe anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, siguroi se tirania në Kubë nuk do ta mbijetojë mandatin e dytë të Presidentit Trump.