Policia e Tiranës tha se qëlloi me gurë efektivët gjatë protestës, reagojnë prindërit e 14-vjeçarit: U dhunua, ishte duke mbledhur plastikë

Opozita shqiptare ditën e djeshme mbajti një protestë kombëtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku nuk munguan as incidentet, pasi u hodh molotov drejt Kryeministrisë, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës.
Në lidhje me incidentet, policia shoqëroi 23 persona, mes tyre edhe një të mitur, i cili më pas u la i lirë. Prindërit e këtij të fundit, kanë pretenduar se djali i tyre nuk ka lidhje me dhunën në protestë, pasi ishte duke mbledhur mbetje plastike.
Gjatë një prononcimi për mediat, nëna e 14-vjeçarit Romeo Kara, ka hedhur akuza ndaj policisë se e kanë dhunuar të miturin dhe se ky i fundit ka probleme me zemrën.
“Ka shkuar te koshat se merrte ndonjë plastikë dhe gjëra dhe i kanë shkuar katër civilë dhe e kanë kapur te xhamia, kur po lante fytyrën me ujë te xhamia. Djali më tha se nuk e dinte pse e kanë rrahur, ç’ke me mua’, i ka thënë. ‘Ke gjuajtur policinë, i kanë thënë ata’. Çfarë shteti është ky që më rreh fëmijën kot, pa lidhje? Unë me zor e rris, ku me bukë ku pa bukë, jo ta rrafin pa lidhje një fëmijë. Ai është i sëmurë me zemër”, tha ajo.
Ndërsa vetë i mituri pasi foli nga Komisariati, tha se e kanë shoqëruar pranë xhamisë së Namazgjasë dhe deklaron se e kanë dhunuar.
“Isha te xhamia, isha pa mendje. Më morën, më futën në pranga dhe më kanë rrahur. Isha duke larë fytyrën prej gazit. Më erdhën pesë civilë, më futën në pranga, më ulën poshtë xhamisë, më goditën dhe më sollën këtu. Se di çfarë bëhet, më bënë ca letra. Më erdhën ca deputetë që më nxorën përjashta”, tha i mituri.
Po çfarë thotë Policia e Tiranës?
Policia e Tiranës reagoi në lidhje me shoqërimin e të miturit Romeo Kara, teksa sipas “bluve” të kryeqytetit, i 14-vjeçari ka qëlluar me gurë në drejtim të efektivëve gjatë protestës para Kuvendit.
Policia bën me dije se i mituri u shoqërua për verifikim në ambientet e komisariatit, ndërsa pas veprimeve procedurale dhe sqarimit të rrethanave, i cili ka rezultuar se ishte 14 vjeç, ai u la i lirë.
“Në lidhje me shoqërimin e një të mituri në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, sqarojmë se gjatë veprimeve të shërbimeve të Policisë për parandalimin e sjelljeve dhe veprimeve të rrezikshme, në tubimin e mbajtur ditën e sotme, është konstatuar një i mitur duke gjuajtur me gurë dhe sende të forta në drejtim të shërbimeve të Policisë. Për këtë arsye, i mituri është marrë për verifikim, nga ku rezultoi të ishte i moshës 14 vjeç.
Theksojmë se shtetasi i mitur në asnjë moment nuk është mbajtur në ambiente të përbashkëta me persona të rritur të ndaluar apo të shoqëruar, por ka qëndruar në një ambient të përshtatshëm dhe është trajtuar me kujdes, në përputhje me parimet dhe garancitë ligjore për të miturit. Ai është lënë i lirë menjëherë pas mbërritjes së përfaqësuesit ligjor.
Në lidhje me veprimet e punonjësve të Policisë gjatë trajtimit të këtij rasti, është njoftuar menjëherë Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, për verifikimin e plotë të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.