“Politikanët bëjnë biznes me paratë e taksapaguesve”, ish-ministri Arben Malaj e thotë hapur: Ata që kanë qeverisur Shqipërinë, nuk e DUAN këtë vend

Ish-ministri i Financave Arben Malaj ka bërë një deklaratë të fortë, teksa gjatë një interviste televizive ka deklaruar se ata që e kanë qeverisur Shqipërinë, nuk e duan këtë vend.
Më tej Malaj i bëri një thirrje edhe politikanëve, teksa theksoi se ata nuk duhet të mos bëjnë biznes me paratë e taksapaguesve shqiptar.
“Unë dyshoj që janë angazhuar në qeveritë e të gjithë kohrave, nuk e duan këtë vend. E shohin qeverinë si një rrugë të shkurtër për tu pasur në mënyrë të shpejtë. Dhe ajo që është më e dëmshme në Shqipëri, është lidhja mes bisnesit dhe politikës. Ata që bëjnë politikë, është që të mos bëjnë biznes me paratë e taksapaguesve shqiptar, pasi ata tentojnë të kapin shtetin dhe tek ne është në nivelin e kapjes së shtetit”, tha ish-ministri.
Sa i përket, votimit që Shqipëria të behet pjesë e Bordit të Paqes për Gazën, Malaj tha se nëse ai do të ishte në opozitë, do të abstenonte.
“Nëse do të isha në vend të opozitës, do të kisha abstenuar, për shkak të luftës që kishim bërë, pasi e çuan veten deri në atë pikë, sa ishte vija e kuqe nëse do të votonin apo jo. E dyta, tregon një ndrojtje nga Trump, por kjo çështje shkon pak mbi Trump”, tha ai.
Ndërsa po ashtu, ish-ministri komentoi edhe protestën e opozitës, teksa tha se synimi është krijimi i një qeverie teknike si në Maqedoninë e Veriut.
“Protestat janë përdorur në historinë e tranzicionit shqiptar. I ka përdorur PS, i ka përdorur rilindja, apo PD. Ndryshimi ka qenë se PD është mbështetur në protesta të fortët, ndërsa socialistët kishin një mbështetje më të madhe publike, dhe nuk kishte nevojë për të fortët. Protestat konsiderohen si element i demokracisë, ndërsa mbrojtja e pronave publike dhe private duhet të jetë një përgjegjësi e organizatorëve. Objektivi që mund të ketë PD përmes protestave, e thonë edhe partitë e tjera opozitare edhe pse janë për përçarë mes tyre, që të krijojnë premisat për një qeveri teknike, jo si ajo që u bë me marrëveshjen Rama-Basha, por modeli i Maqedonisë së Veriut, që mazhoranca tërhiqet për t’i dhënë frymë demokracisë”, tha Malaj.