Produktet ushtarake “Made in Albania” do të nisin të prodhohen këtë vit, ministri Vengu jep lajmin e mirë: Janë firmosur 6 kontrata përmes KAYO-s dhe privatit

Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në fazën e prodhimit vendas të municioneve dhe pajisjeve ushtarake, duke shënuar kështu një hap të rëndësishëm në forcimin e industrisë së mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare.

Ky lajm është bërë me dije ditën e sotme nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu i cili gjatë fjalës së tij në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, u shpreh se brenda këtij viti do të nisin të prodhohen produktet e para “Made in Albania”, në fushën e mjeteve taktike, uniformave dhe pajisjeve të emergjencave civile.

Aktualisht sipas ministrit janë nënshtruar gjashtë kontrata për krijimin e gjashtë kompanive të përbashkëta shtet-privat, përmes ndërmarrjes shtetërore KAYO dhe partnerëve privatë. Këto marrëveshje parashikojnë prodhimin e municioneve, armatimit, pajisjeve personale, uniformave, dronëve, sistemeve antidronë, si edhe mjeteve për përballimin e emergjencave civile.

Paralelisht, Shqipëria ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave për ringritjen e kantierit detar të Pashalimanit, në bashkëpunim me një kompani të madhe italiane.

“Kemi 6 kontrata të nënshkruara aktualisht për krijimin e 6 kompanive të përbashkëta përmes shtet privat përmes kompanisë shtetërore KAYO dhe 6 kompanive private. 6 kontratat parashikojnë krijimin e municioneve, mjeteve pajisjeve personale, uniformave, armatimit, dronëve, sistemeve antidronë dhe mjeteve të emergjencave civile.

Jemi në përfundim të negociatave për ringritjen e kantierit detar të Pashalimanit në bashkëpunim me gjigandin italian për të pasur mundësi të prodhojmë anijet tona, ti mirëmbajmë dhe të prodhojmë dhe mirëmbajmë mjete për vendet aleate. Ky është spektri në të cilin po ecim. Presim që produktet e para Made in Albania, për mjetet taktike, të emergjencave dhe uniformave, prodhimet e para të fillojnë këtë vit. Ministria e Mbrojtjes është duke realizuar hapat përfundimtare për rishikimi strategjik të mbrojtjtes 2026”, tha Vengu.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT