Protesta e Adriatik Lapajt, vetëzbulohet dhuruesi i gjeneratorit: Sa herë të ketë nevojë vendi ynë, do gjendemi pranë (FOTO)

Adriatik Lapaj i “Shqipëria Bëhet” organizoi sot protestën e katërt kombëtare përpara zyrës së Edi Ramës ndërsa të shumtë ishin pjesëmarrësit nga Diaspora.
Një prej tyre, Dritan Toci, i cili jeton në Londër, tha se është personi që solli gjeneratorin që të ngrohet Adriatik Lapaj dhe qëndrestarët pas tij në trotuarin para kryeministrisë.
“Ky pushtet na ka larguar nga Shqipëria. Sa herë të ketë nevojë vendi ynë, do gjendemi pranë. Mora rrugën nga Londra dhe i solla gjeneratorin njerëzve më të ndershëm që rrijnë ditë e natë këtu për një Shqipëri më të mirë. Ky pushtet na ka lënë prindërit që të rrinë vetëm.”-tha Toci.
Ndërsa pas Dritan Tocit mbajti fjalën Andi Tepelena, një tjetër protestues i cili sapo kapi mikrofonin i shprehu mirënjohjen parafolësit të tij që solli gjeneratorin.
“Respekti zotëri për aktin tuaj, që sollët gjeneratorin. Shpreh mirënjohjen për qëndrestarët në kushtet më të vështira kundër atij horrit që është aty sipër. Të rinjtë po ndërtojnë kulturën e qëndresës.”-tha ai.
Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, tha se nuk do të largohet deri në momentin që Edi Rama të japë dorëheqjen ndërsa i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të bashkohen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit.”