Rama ndërpret fondet për RTSH, reagon Asociacioni i Gazetarëve: Faji i politikës që ndërhyn me emërime dhe në transparencë! S’mund të privatizosh median

Pas deklaratave të forta të kryeministrit Edi Rama drejtuar Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) duke arritur deri në opsionin e mbylles së shërbimit për shkak të “shërbimit mizerabël” që ky ekran ofron, Asociacioni i Gazetarëve ka reaguar me një deklaratë publike.

Në reagim, thuhet se përgjegjësia e dështimit strukturor të RTSH nuk mund të hidhet e plotë të kurriz të televizionit, por përgjegjës është dhe politika, duke renditur ndërhyrjet, emërimet e kontestuara, mungesën e transparencës dhe paqëndrueshmërinë financiare.

Asociacioni i Gazetarëve i quan ekstreme qëndrimet e Edi Ramës, i cili thotë se do të ketë ndërprerje të fondeve deri në reformim të institucionit. Reagimi mbyllet me një thirrje për analizë të gjithanëshme dhe dialog të përbashkët mes palëve, për të mos cënuar trasmetuesin dhe të drejtën e publikut për informim të paanshëm.

Reagimi i Asociacionit të Gazetarëve:

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh shqetësim të thellë lidhur me deklaratat e Kryeministrit Edi Rama mbi Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), të bëra më 16 janar, ku televizioni publik u cilësua si “dështim” dhe u hodhën në tavolinë opsione ekstreme si mbyllja, privatizimi apo partneriteti.

AGSH vlerëson se retorika politike që stigmatizon median publike dhe sugjeron zgjidhje drastike, pa një analizë të thelluar dhe pa garanci për pavarësinë editoriale, cenon parimet themelore të shërbimit publik mediatik dhe standardet evropiane për lirinë e medias.

Televizioni publik nuk është thjesht një ndërmarrje financiare, por një institucion i interesit publik që duhet të garantojë informim të paanshëm, kulturë, edukim dhe akses të barabartë për qytetarët.

Është e papranueshme që përgjegjësia për dështimet strukturore të RTSH-së t’i faturohet vetëm institucionit, duke anashkaluar faktin se për vite me radhë ndërhyrjet politike, emërimet e kontestuara, mungesa e transparencës dhe paqëndrueshmëria financiare edhe përmes abuzimit të të emëruarve politikë kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e tij.

Refuzimi i financimit publik si mjet presioni politik përbën një rrezik serioz për pavarësinë e medias publike.

AGSH thekson se çdo reformë e RTSH-së duhet të ndërtohet mbi dialog të gjerë me gazetarët, shoqërinë civile dhe ekspertët e medias, duke respektuar praktikat më të mira evropiane dhe rekomandimet e organizatave ndërkombëtare.

Opsionet si mbyllja apo privatizimi i një transmetuesi publik janë masa ekstreme që do të dëmtonin rëndë pluralizmin mediatik dhe të drejtën e publikut për informim.

Asociacioni I Gazetarëve të Shqipërisë për vite me radhë ka bërë thirrje për reforma të thella në RTSH, që lidhen kryesisht me zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues e më pas me Drejtorin e Përgjithshëm, si dhe një reformë e brendshme strukturore.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT