Sali Berisha njofton PROTESTËN E MADHE KOMBËTARE: Do të jetë më e fuqishmja që ka njohur Shqipëria! (DATA)

Lideri demokrat Sali Berisha ka njoftuar mesditën e kësaj të premte se më datë 10 Shkurt, opozita do të mbajë protestën e radhës kombëtare në Tiranë. Ajo do të mbahet rreth dy javë pas protestës kombëtare që u zhvillua në kryeqytet më 24 Janar.
“Revolta dhe vetëm revolta është përgjigja e merituar e sovranit ndaj këtij grupi që nuk ka ligj, kushtetutë e as moral. Revolta dhe vetëm revolta është rruga e daljes, e përmbysjes së diktaturave autokratike, njëlloj si në vendet e tjera.
Ndaj dhe ftoj dhe njëherë me datën 10 shkurt të gjithë shqiptarët, të gjithë qytetarët e Tiranës, në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit në protestën më të fuqishme që ka njohur Shqipëria kundër regjimit të drogës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve”, u shpreh Sali Berisha.
Në protestën e kaluar, pati mjaft incidente me molotovë dhe fishekzjarre të Kryeministria, ndërkohë që incidente u regjistruan edhe te Parlamenti, ku protestuesit u përballën me forcat e Policisë së Shtetit që lëshuan gaz lotsjellës.
Kur gazetarët e pyetën nëse skenari do të ishte i njëjtë, Sali Berisha u shpreh “Sot është vetëm njoftimi se mezi prisnin njerëzit datën, me padurim prisnin.”
Në protestën e javës së kaluar, 24 Janar, Policia e Shtetit njoftoi ndalimin e 19 protestuesve dhe procedimin në gjendje të lirë të disa të tjerëve, nën akuzën se kishin hedhur molotovë e sende të forta drejt institucioneve, si dhe lënduan disa efektivë.
Megjithatë, Gjykata e Tiranës i nxori të gjithë nga qelia dhe caktoi masën “detyrim paraqitje”. Ndërkohë, siç bënë me dije autoritetet, të plagosur nga këto incidente dhe episode dhune mbetën dhe 11 efektivë.