Salianji takim me demokratët në Korçë, Partia Demokratike tenton ta sabotojë, mesazhi për anëtarët e PD-së: Mos shkoni se bashkëpunon me Ramën

Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji ka paralajmëruar se do të mbajë në qytetin e Korçës një takim me demokratët e qytetit juglindor. Por duket se takimi i Salianjt, nuk është pritur mirë nga PD e Korçës.
Në një mesash drejtuar anëtarëve të kësaj force politike, PD e Korçës iu bën thirrje që të mos i bashkohen takimit të Salianjit, duke tentuar sabotimin.
PD e Korçës shkruajnë se Salianji është vetëpërjashtuar nga Partia Demokratike, pasi ka shkelur vijën e kuqe të përcaktuar në statutin e PD-së, që është bashkëpunimi me krimin e organizuar.
“Dega e PD Korçë ju bën thirrje juve, si anëtar i degës, të distancoheni, pasi ky takim i shkon për shtat vetëm axhendës së Edi Ramës dhe pushtetit të tij”, theksohet në mesazh.
Mesazhi i PD-së Korçë, drejtuar anëtarëve të saj:
I dashur anëtar i PD Korçë,
Sot, Ervin Salianji, i vetëpërjashtuar nga PD për shkak se ka shkelur vijën e kuqe të përcaktuar në statutin e PD-së, që është bashkëpunimi me krimin e organizuar, duke spekuluar në emër të PD-së, po përpiqet të organizojë një takim me një agjendë tërësisht private, pa asnjë lidhje me Partinë Demokratike, madje një agjendë që bie ndesh me të.
Dega e PD Korçë ju bën thirrje juve, si anëtar i degës, të distancoheni, pasi ky takim i shkon për shtat vetëm axhendës së Edi Ramës dhe pushtetit të tij.
Ju faleminderit.