SHBA nuk ka pezulluar vizat me Shqipërinë? Rama sqaron të vërtetën: Po dezinformohet! Kanë hequr vetëm lejet e punës dhe të qëndrimit

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se SHBA nuk ka pezulluar vizat për vendin tonë, duke hedhur akuza se po dezinformohet opinioni publik.
Gjatë podcast-it të tij, Rama tha se lajmet për pezullimin e vizave, nuk janë të vërteta.
“Dua të them dy fjalë për ata që u hodhën përpjetë, për ata që jetojnë të hedhur përpjetë dhe që në përpjetësinë e tyre i shtuan hedhjeve edhe një të radhës: dezinformim, çorientim të opinionit dhe helmin e atyre që kanë fuqi t’i dëgjojnë, duke thënë se Amerika ndaloi vizat për Shqipërinë. E pavërtetë. SHBA nuk ka ndaluar vizat për Shqipërinë”, tha ai.
Kryeministri ka deklaruar se administrata amerikane, ka vendosur që një pezullim të përkohshëm sa i përket lejeve të punës në SHBA të 75 shteteve, përfshirë vendin tonë. Rama tha se janë pezulluar vetëm lejet e qëndrimit dhe të punës në SHBA.
“Administrata aktuale, nën orientimin e Trump për politikën e emigracionit, ka vendosur që për 75 vende të bëjnë një pezullim të përkohshëm sa i përket lejeve të punës në SHBA. Jo vizave për në Amerikë, por lejeve të qëndrimit në Amerikë për punë, pasi për këtë kategori vendesh kanë vënë re fenomenin e marrjes së vizës për turizëm, biznes dhe mosrespektimit të afateve dhe qëndrimit atje”, tha Rama.
Ndërsa më tej shtoi se diçka e tillë është bërë për të qëndruar në linjën e Trump.
“Kjo shkon në linjën normale të presidentit Trump dhe nuk ka pikë lidhje me ato që u thanë nga ato që hidhen përpjetë, dhe kur të bien në tokë do të shohin se terreni që po shohin është i rrëshqitshëm dhe do hidhen përpjetë lart e më lart.”, deklaroi kryeministri.