Shirat bëjnë namin në Durrës e Gjirokastër, Sali Berisha dërgon në terren deputetët demokratë: Po përllogarisin dëmet, janë pranë qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike, në një deklaratë për mediat i ka bërë thirrje qeverisë që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme sa i përket përmbytjeve që janë shkaktuar në disa qytete të vendit, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.
Berisha gjithashtu bëri me dije se deputetët demokratë ndodhen në terren dhe janë duke shprehur solidaritetin e tyre lidhur me këtë situatë kaotike në të cilën banorët e disa qyteteve ndodhen prej dy ditësh tanimë.
Sipas ish-kryeministrit ata janë duke përllogaritur edhe dëmet ndërkohë që zonat të cilat janë dëmtuar janë të shumta.
“Të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Janë në detyrë duke shprehur solidaritetin e tyre me banorët dhe bizneset thellësisht të dëmtuara dhe bërë një përllogaritje paraprake për kompensimin e tyre. Ka fabikika që kanë 10 milionë euro investime të cilat janë të gjitha në ujë, e tërë ajo zonë është zonë industriale në të vërtetë”, tha Berisha, teksa më tej u pyet lidhur me lajmet që kanë qarkulluar ditën e sotme sa i përket datës së protestës Kombëtare.
Sipas Berishës ndryshe nga zërat që kanë qarkulluar lidhur me 24 janarin si data kur opozita do të dalë sërish në shesh, ai theksoi se deri më tani nuk është marrë asnjë vendim dhe se data do të përcaktohet ditën e premte gjatë një mbledhje.
“Asnjë datë nuk është përcaktuar, ka një datë që ditën e premte do të mblidhet një tryezë shumë e gjerë e opozitës dhe shoqërisë civile, faktorë të rëndësishëm shoqërore ku do të përcaktohet edhe data e dhe qëndrimet në vazhdim ndaj Ramaduros dhe regjimit të tij. Pra, ne shkojmë në tryezë të hapur për të dëgjuar, për të debatuar me të pranishmit dhe të vendosim së bashku mbi qëndrimet protestat që do të ndërmarrim në vazhdim”, tha Berisha.