Si e “ndihmon” BE-ja Babagjyshin? Mesazhi festiv i Parlamentit Europian

Në prag të ndërrimit të viteve, Parlamenti Europian ka zgjedhur t’i drejtohet publikut me një mesazh ndryshe, duke kombinuar humorin me një shpjegim simbolik mbi funksionimin e Bashkimit Europian.

Në qendër të këtij komunikimi ka qenë figura e Babagjyshit të Vitit të Ri, të cilit institucioni europian i ka “dhënë” një identitet europian.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Parlamenti Europian ka përdorur humorin për të shpjeguar se si Babagjyshi arrin të shpërndajë dhurata në kohë rekord në të gjithë kontinentin. Sipas mesazhit, kjo “mrekulli” festive nuk lidhet vetëm me magjinë e festave, por edhe me mekanizmat që lehtësojnë lëvizjen brenda BE-së.

“E keni menduar ndonjëherë se si Babagjyshi i Vitit të Ri i shpërndan dhuratat kaq shpejt në të gjithë Europën? Kjo falë bashkimit doganor të BE-së dhe zonës Schengen! Pa kontrolle doganore mes vendeve të BE-së, slita e Babagjyshit vazhdon rrugën pa pengesa nga një ndalesë në tjetrën: pa vonesa, pa dokumente.”, thuhet në postimin e Parlamentit Europian në rrjetet sociale.

Me këtë qasje të lehtë dhe simbolike, Parlamenti Europian synon të theksojë përfitimet konkrete të integrimit europian, duke i sjellë ato më pranë qytetarëve përmes një gjuhe të kuptueshme dhe festive.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT