Si u vodhën dosjet nga kompjuterat e prokurorëve të SPAK, “hakerat” me qëllime të qarta, morën provat e Ahmetajt, Veliajt dhe pllakat e arit të Franc Çopjas

Detaje të reja janë bërë publike nga gazetarja Anila Hoxha lidhur me sulmin kibernetik ndaj Prokurorisë së Posaçme, çështje për të cilën SPAK tashmë ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen për gjykim.
Sipas raportimit, materialet e përftuara nga hakerimi përfshinin informacione dhe shkresa hetimore për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, kryebashkiakun Erion Veliaj, Damian Gjiknurin, si edhe fotografi me kallëpe floriri e të dhëna mbi kontrolle të kryera në banesën e Franc Çopjas.
Këto materiale, të marra nga kompjuterët e tre prokurorëve të SPAK, Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini, sipas dëshmisë së të akuzuarit Zambak Gjoni, janë përcjellë nga hakeruesi Arnold Rrokaj vetëm pak orë përpara se ndërhyrja të zbulohej.
Zbulimi erdhi pasi një gazetar, të cilit i ishin dërguar dokumentet, informoi më 12 mars 2025 ish-kryeprokurorin Altin Dumani.
SPAK tha më herët se hyrja e paautorizuar në sistemet e institucionit është kryer në formën e grupit kriminal. Në akuzë janë Arnold Rrokaj, Zambak Gjoni dhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili. Në dosje përmendet edhe fakti se Rrokaj i kishte dërguar Gjonit materiale përmes ËhatsApp, përfshirë edhe një letër-porosi drejt Australisë dhe një link që lidhej me biseda të përftuara nga aplikacioni Sky ECC.
Zambak Gjoni ka deklaruar se informacionet ia ka shpërndarë miqve me të cilët diskutonte aktualitetin politik, mes tyre edhe Agim Ismailit. Megjithatë, SPAK e konsideron përfitimin dhe shpërndarjen e të dhënave si të koordinuar, duke iu referuar edhe një bisede ku kërkohen informacione për Ulsi Manjën, për të cilat ish-zyrtari i burgjeve përgjigjet: “do ishte e hatashme”.
Nga ana e tij, Arnold Rrokaj ka pretenduar se hakerimi u krye nga kurioziteti, duke thënë se kishte arritur të thyente e-mailet e tre prokurorëve pasi ata përdornin fjalëkalimin “SPAK 2019”.
Hetimet për këtë çështje drejtohen nga prokurori i posaçëm Bledar Maksuti, ndërsa tre të akuzuarit pritet të përballen me Gjykatën e Posaçme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.