Sot, ditëlindja e Fan Nolit, shqiptarit më të madh të shekullit të kaluar! Universiteti në Korçë “harron” emrin e kujt mbart

Sot, më 6 janar, shënohet 144-vjetori i lindjes së Fan Stilian Nolit, një nga personalitetet më të mëdha të historisë shqiptare. I lindur më 6 janar 1882 në Ibrik Tepe (Edrene), në një komunitet shqiptar që ruante me fanatizëm gjuhën dhe traditat, Fan Noli do të bëhej më vonë një figurë themelore e kulturës, politikës dhe ruajtjes së traditës të shqiptarëve.
Jeta e tij ishte një përkushtim i pandërprerë ndaj çështjes kombëtare. Shkrimtar, përkthyes i jashtëzakonshëm, publicist, historian, diplomat, klerik dhe burrë shteti, Noli i dha gjuhës shqipe vepra monumentale, duke sjellë në shqip Shekspirin, Servantesin, Omar Khajamin e shumë autorë të tjerë botërorë.
Ai ishte ndër themeluesit e Federatës Panshqiptare “Vatra”, drejtues i gazetës “Dielli”, përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve dhe kryeministër i vendit pas Lëvizjes së Qershorit 1924, në përpjekje për të ndërtuar një shtet demokratik dhe modern.
Njëkohësisht, Fan Noli mbetet figura qendrore e krijimit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, duke u bërë simbol i pavarësisë shpirtërore dhe kombëtare. Liturgjia e parë në gjuhën shqipe, mbajtur prej tij në Boston, ishte një akt i guximshëm dhe historik, që i dha zë identitetit shqiptar edhe në besim.
Megjithatë, sot, në ditën e lindjes së tij, bie në sy një heshtje e pajustifikueshme. Universiteti i Korçës, i cili mban emrin e Fan S. Nolit, nuk zhvillon asnjë aktivitet përkujtimor në nder të 144-vjetorit të lindjes së tij. Një mungesë që lë shije të hidhur, pasi kujtesa institucionale dhe respekti ndaj figurave themelore të kombit nuk mund të mbeten vetëm në emërtime formale.