Tenderi 700 milionësh i hapi telashe Benet Becit, grupi i KESH-it favorizoi kompaninë e Ervis Myftarit! “Consulting & Management Albania” ka marrë miliarda nga shteti

Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim Benet Becit dhe të tjerëve, në lidhje me një tender me vlerë më shumë se 700 milionë lekë të vjetra, i cili është dhënë gjatë kohës që kryebashkiaku i Shkodrës drejtonte KESH.
Benet Beci, Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti dhe Rudin Gjoni, akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
Hetimi është nisur kryesisht mbi bazën e referimit të akteve nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe objekt ka qenë një procedurë prokurimi e zhvilluar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare sh.a, me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”, me fond limit 69,500,000 lekë të reja, pa TVSH.
SPAK thotë se gjatë zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, janë evidentuar rrethana fakti për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në lidhje me veprimet e kundërligjshme të titullarit të autoritetit kontraktor, anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave.
Këto veprime kanë konsistuar në përllogaritjen e fondit limit, hartimin e termave të referencës, përcaktimin e kritereve në dokumentacionin standard të tenderit, si dhe në fazën e vlerësimit të ofertave.
Konkretisht, nga analizimi i provave të siguruara përmes përdorimit të teknikave të posaçme të hetimit, provave materiale të sekuestruara gjatë kontrollit në banesën e personit të marrë si i pandehur në një procedim tjetër, shtetasit Evis Berberi (bashkëshorti i të pandehurës Adela Ruko), si dhe nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore në kuadër të këtij hetimi, ka rezultuar se:
– I pandehuri Benet Beci, në detyrën e Administratorit të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me anëtarët e njësisë së prokurimit, të pandehurit Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, si dhe me anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, të pandehurit Adela Ruko, Rudin Gjoni, Premtim Dauti, kanë paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, “Consulting & Management Albania” sh.p.k.
Në këtë procedurë prokurimi janë evidentuar veprime në kundërshtim me nenet 1, 2, 20, 24 dhe 46 të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, si dhe me nenet 28 dhe 61 të VKM nr. 914, datë 29.12.2014, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.
Kompania “Consulting & Management Albania” sh.p.k është në pronësi 100% të shtetasit Ervis Myftari dhe rezulton se gjatë viteve të fundit, ka fituar miliarda lekë nga shteti shqiptar, përmes kontratave publike me institucione të ndryshme. (SHIKO KËTU)