“Uji nuk është armik i qytetit!” Arkitekti analizon përmbytjet në Durrës, gjen “fajtorin” dhe kërkon ndryshimin e planifikimit territorial, Saemira Pino: Nuk kritikon e shan, por propozon zgjidhje afatgjatë

Përmbytjet e regjistruara në Durrës, e kanë venbdosur debvatin publik mbi fuksionimin e hidrovoreve , kapacitetin e tyre apo mirëmbajtjen e pamjaftueshme. Por për profesorin Zydi Teqja, i cili është arkitekt dhe studiues i planifikimit urban, problemi është shumë më i thellë dhe lidhet me mënyrën se si qyteti është projektuar dhe zhvilluar ndër dekada.
Kjo deklaratë dhe analizë e profesorit, është mbështetur e përgëzuar nga Saemira Pino, ish- shefe e Kabinetitit të PS në kohën e qeverisjes së Fatos Nanos, e cila përmes një “shpërnarje në “Facebook” të këtij statusi ka shkruar: “Një profesionist si Prof. Zydi Teqja, që nuk kritikon e shan, por propozon zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë për katastrofën urbane në Durrës…”
Sipas profesorit uji nuk është armiku i qytetit, por ideja se se natyra mund të “mposhtet” vetëm me pompa dhe infrastrukturë mekanike. Hidrovoret, thotë ai, nuk janë shkaku i përmbytjeve, por pika ku shpërthen dështimi i një sistemi të tërë urban që nuk është më në gjendje të përthithë dhe menaxhojë ujin e reshjeve.
“Durrësi, ashtu si shumë qytete bregdetare dhe fushore në Shqipëri, vazhdon të funksionojë me një paradigmë të vjetër drenazhimi, që synon largimin sa më të shpejtë të ujit, në vend që ta mbajë dhe ta menaxhojë atë në territor,” shprehet Teqja.
Profesori më tej argumenton se zgjidhja moderne nuk është rritja e kapaciteteve të pompimit, por një ndryshim rrënjësor i strategjisë urbane, në përputhje me praktikat bashkëkohore të Bashkimit Evropian.
“Strategjia bashkëkohore e menaxhimit të ujërave të stuhive në zonat urbane, e konsoliduar në politikat e Bashkimit Evropian dhe në praktikën e planifikimit territorial, bazohet në një parim krejt tjetër: uji duhet të mbahet në vend, të ngadalësohet dhe të shpërndahet, jo të përqendrohet dhe të largohet me dhunë”
Kjo do të thotë, sipas profesorit, investim në infrastrukturë të gjelbër dhe blu: parqe urbane që funksionojnë si basene përmbytjeje të kontrolluar, sipërfaqe të depërtueshme, zona infiltrimi, çati të gjelbra dhe sisteme të qëndrueshme të drenazhimit urban.
“Në përfundim, përmbytja e Durrësit nuk duhet të trajtohet si një incident teknik, por si një dështim strategjik. Pa një ndryshim rrënjësor të paradigmës – nga largimi i ujit drejt mbajtjes dhe menaxhimit të tij në territor – çdo investim në hidrovore do të jetë vetëm një zgjidhje e përkohshme. Sfida e vërtetë është riprojektimi i qytetit dhe i territorit përreth tij në përputhje me realitetet klimatike të shekullit XXI. Vetëm atëherë Durrësi mund të kalojë nga një qytet që përmbytet, në një qytet që bashkëjeton në mënyrë inteligjente me ujin” shpjegon profesori.
“Uji i shiut është jashtëzakonisht cilësor: ka pak kripëra, është i pastër dhe shumë i dobishëm, sidomos për zona të degraduara dhe të kripëzuara si Spitalla. Ndërkohë që qyteti përmbytet, toka përreth vuan nga kripëzimi dhe mungesa e ujit të përshtatshëm – një paradoks tipik i planifikimit të keq.”ka shtuar ai.
Në përfundim, Prof. Zydi Teqja paralajmëron se pa një ndryshim të vizionit, nga largimi i ujit drejt mbajtjes dhe përdorimit të tij përmbytjet do të përsëriten jo vetëm në Durrës, por edhe në qytete të tjera si Vlora apo Lezha. “Kjo nuk është çështje emergjence, por çështje vizioni,” përfundon ai.
Postimi i plotë:
UJI NUK ËSHTË ARMIK I QYTETIT; ARMIK ËSHTË IDEJA SE MUND TA MUNDIM NATYRËN ME POMPA.
Përmbytja e sotme e Durrësit, e perceptuar gjerësisht si e paprecedentë, ka nxitur një reagim të menjëhershëm publik, ku shkaku kryesor po kërkohet tek hidrovoret, kapaciteti i tyre apo mirëmbajtja e pamjaftueshme. Ky fokus, ndonëse i kuptueshëm, është në thelb i pamjaftueshëm dhe rrezikon të fshehë problemin real: Durrësi, ashtu si shumë qytete bregdetare dhe fushore në Shqipëri, vazhdon të menaxhojë ujin sipas një logjike të vjetruar, që synon largimin e tij sa më shpejt, në vend që të investojë për ta mbajtur dhe menaxhuar atë në territor.
Në planin akademik dhe profesional, ky model njihet si paradigma tradicionale e drenazhimit urban, e ndërtuar mbi infrastrukturën “gri” e cila përbëhet nga kanale të mbyllura, kolektorë, pompa dhe shkarkime direkte në det ose lumenj. Ky sistem supozon reshje relativisht të moderuara, sipërfaqe të depërtueshme dhe ritme të qëndrueshme urbanizimi. Asnjë nga këto kushte nuk ekziston më. Ndryshimet klimatike kanë rritur intensitetin dhe përqendrimin kohor të reshjeve, ndërsa urbanizimi i Durrësit ka prodhuar një territor gjithnjë e më të papërshkueshëm, ku toka ka humbur funksionin e saj natyror thithës.
Në këtë kontekst, hidrovoret nuk janë shkaku, por pika ku shpërthen dështimi i gjithë sistemit. Ato funksionojnë si “valvul sigurie” e fundit në një territor që nuk mban më ujë. Sa herë që reshjet tejkalojnë një prag kritik, sado të fuqishme të jenë pompat, ato nuk mund të përballojnë volumet e mëdha të ujit që grumbullohen në një kohë shumë të shkurtër. Investimi vetëm në rritjen e kapaciteteve të largimit të ujit është një garë e humbur, sepse çdo zgjerim i infrastrukturës gri do të neutralizohet nga urbanizimi i mëtejshëm dhe nga ekstremet klimatike.
Strategjia bashkëkohore e menaxhimit të ujërave të stuhive në zonat urbane, e konsoliduar në politikat e Bashkimit Evropian dhe në praktikën e planifikimit territorial, bazohet në një parim krejt tjetër: uji duhet të mbahet në vend, të ngadalësohet dhe të shpërndahet, jo të përqendrohet dhe të largohet me dhunë. Ky parim materializohet përmes infrastrukturës së gjelbër dhe blu, e cila kombinon funksione ekologjike, urbane dhe sociale. Parqet urbane të projektuar si basene përmbytjeje të kontrolluar, zonat e lagëta dhe kanalet natyrore, sipërfaqet e depërtueshme, çatitë e gjelbra dhe sistemet urbane të drenazhimit të qëndrueshëm (SUDS) janë elementë kyç të kësaj qasjeje.
Për Durrësin, kjo strategji nuk është thjesht një import konceptual, por një domosdoshmëri territoriale. Qyteti po shtrihet gjithnjë e më shumë në një fushë bregdetare me nivel të ulët, me lidhje historike me kënetat, lagunat dhe sistemet natyrore të ujërave sipërfaqësore. Urbanizimi i dekadave të fundit i ka shkatërruar këto sisteme, ka mbuluar tokat bujqësore dhe ka eliminuar hapësirat tampon që dikur absorbonin reshjet. Përmbytja e sotme është, në këtë kuptim, rikthimi brutal i një realiteti hidrologjik që planifikimi urban ka kohë që ka zgjedhur ta injorojë.
Mbajtja e ujit në territor nuk nënkupton përmbytje të pakontrolluara, por përmbytje të projektuara, të menaxhuara dhe të parashikuara. Ajo ul presionin mbi hidrovoret, rrit reziliencën urbane dhe krijon hapësira publike me vlerë të shtuar ekologjike dhe sociale. Në vend që uji të perceptohet si kërcënim, ai integrohet si element strukturor i qytetit.
Në përfundim, përmbytja e Durrësit nuk duhet të trajtohet si një incident teknik, por si një dështim strategjik. Pa një ndryshim rrënjësor të paradigmës – nga largimi i ujit drejt mbajtjes dhe menaxhimit të tij në territor – çdo investim në hidrovore do të jetë vetëm një zgjidhje e përkohshme. Sfida e vërtetë është riprojektimi i qytetit dhe i territorit përreth tij në përputhje me realitetet klimatike të shekullit XXI. Vetëm atëherë Durrësi mund të kalojë nga një qytet që përmbytet, në një qytet që bashkëjeton në mënyrë inteligjente me ujin.
Durrësi sot nuk u përmbyt sepse “nuk punuan hidrovoret”; U përmbyt sepse kemi ndërtuar një qytet që nuk mban ujë.
Duhet ta themi qartë: sado hidrovore të shtojmë, nëse territori nuk mban ujë, përmbytjet do të përsëriten.
Zgjidhja moderne nuk është ta largosh ujin, por ta mbash dhe ta menaxhosh aty ku bie. Uji i shiut është jashtëzakonisht cilësor: ka pak kripëra, është i pastër dhe shumë i dobishëm, sidomos për zona të degraduara dhe të kripëzuara si Spitalla. Ndërkohë që qyteti përmbytet, toka përreth vuan nga kripëzimi dhe mungesa e ujit të përshtatshëm – një paradoks tipik i planifikimit të keq.
Çfarë do të thotë kjo konkretisht? Parqe urbane që pranojnë përkohësisht ujin, jo sheshe “të thata” me pllaka; Sipërfaqe të depërtueshme, jo asfalt kudo; Mbledhje e ujit të shiut nga çatitë për ujitje dhe përdorime publike; Basene dhe zona infiltrimi në periferi, sidomos drejt Spitallës, për shpëlarjen graduale të tokave të kripëzuara.
Hidrovore që përdoren si mjet sigurie, jo si zgjidhje e vetme.
Uji nuk është armik i qytetit; Armik është ideja se mund ta mundim natyrën vetëm me pompa.
Nëse nuk ndryshojmë mënyrën si planifikojmë territorin, sot është Durrësi, nesër do të jetë Vlora, Lezha apo një qytet tjetër. Nëse ndryshojmë strategjinë – nga largimi i ujit tek mbajtja dhe përdorimi i tij – përmbytjet mund të kthehen nga katastrofë në pasuri.
Kjo nuk është çështje emergjence; Është çështje vizioni.