VIDEO/ Krimi Ekonomik bastis fabrikën e imitimeve në Kamëz, turqit prodhonin veshje të markave luksoze me logo fale

Një fabrikë për falsifikimin e paligjshëm të markave brand ndërkombtar është goditur nga Krimi Ekonomik në zonën e Kamzës. Ajo drejtohej nga dy shtetas turq dhe në staf ishin 3 punonjëe, të cilat falsifikonin logot e markave ndërkombëtare të veshjeve.
Si rezultat i administrimit të informacionit të siguruar se në Kamëz, magazinoheshin veshje të kontrabanduara, të cilave iu viheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, me mbështetjen e Komisariatit të Policisë Nr. 5 dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizoi dhe finalizoi operacionin “Brands 2”.
Gjatë operacionit u arrestua shtetasi turk O. S., 46 vjeç, u shpall në kërkim shtetasi turk M. K., 50 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetaset L. M, Sh. M dhe Sh. B, punonjëse në këtë magazinë.
Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë konstatuan se në magazinë kishte mallra që dyshohet se kishin shmangur detyrimin doganor, si dhe makineri për falsifikimin dhe stampimin e logove që vendoseshin në veshje dhe këpucë të ndryshme.
Punohet për lokalizimin dhe kapjen e 50-vjeçarit të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.