“3 konkluzionet” e Edi Ramës për Ballukun, Gaz Bardhi i përgjigjet me “3 të vërteta”: Ligji është i qartë, Këshilli i Mandateve të mblidhet sa më parë, Niko Peleshi të zgjedhë anën

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi i është përgjigjur “3 konkluzioneve” të Edi Ramës për rastin e politikanes socialiste Belinda Balluku, me “3 të vërteta” që sipas tij tregojnë se kryeministri do të ndryshojë ligjin për të mbrojtur pushtetin.

Sipas Bardhit, pezullimi nga ushtrimi i funksionit publik nuk është shpikje e SPAK-ut, por është i shkruar në Kodin e Procedurës Penale dhe vlen për çdo funksionar publik; për ministër, zëvendëskryeministër dhe kryeministër.

3 të vërteta për ndërhyrjen e Ramës në një hetim aktiv, sipas Gazment Bardhit:

1. Kur një Kryeministër ndryshon ligjin ndërkohë që po hetohet bashkëpunëtorja e tij më e afërt, ai nuk po mbron ndonjë parim kushtetues apo ligjor. Po mbron pushtetin e vet të korruptuar. Rregullat nuk ndryshohen në mes të hetimit për të shpëtuar veten.

2. Kur Qeveria dhe Kuvendi bashkohen për të goditur vendimin e dy gjykatave në lidhje me një hetim penal aktiv, kemi dy pushtete që përpiqen të ndikojnë të tretin. Kjo nuk është ndarje pushtetesh. Është presion i organizuar kundër drejtësisë.

3. Kur thuhet se “nuk ka urgjencë” për kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut, mesazhi është i qartë: Drejtësia duhet të presë. Pushteti ka nevojë për blerje kohe.

Kreu i Grupit të PD thekson se kur ekzistojnë kushtet ligjore, mund të pezullohet kushdo, sepse pezullimi nuk paralizon shtetin, por sipas tij, paralizon vetëm personin nën hetim për të shmangur ndikimin përmes funksionit.

“Arresti kërkohet kur rrezikohet hetimi përmes intimidimit të dëshmitarëve apo cenimit të provave. SPAK ka sjellë prova se këto rreziqe janë konkrete në rastin e Belinda Ballukut. Pra, janë dy masa paralele. Njëra mbron procesin penal, tjetra mbron institucionin.

T’i ngatërrosh ato, siç bën Edi Rama, është deformim i së vërtetës me qëllim pengimin e drejtësisë. Ligji është i qartë. Nuk ndryshohet sepse prek pushtetin”, shkruan Gazment Bardhi, duke ju drejtuar me një thirrje dhe kryeparlamentarit Niko Peleshi.

“Këshilli i Mandateve duhet të mblidhet pa justifikime, pa shtyrje artificiale, pa manovra politike. Kryetari e Kuvendit duhet të zgjedhë: ose në anën e ligjit, ose në anën e pengimit të drejtësisë.”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT