Atentati i dështuar ndaj biznesmenit te “Liqeni i Thatë”, ja pse Eldi Dizdari porositi vrasjen e pronarit të shkollës “Wilson”, në emrin e të bijës kishte mijëra euro pasuri

Dëshmi të reja të Henrik Hoxhajt kanë hedhur dritë mbi një nga ngjarjet kriminale që tronditi vendin, atentati i dështuar ndaj pronarit të shkollës “Wilson”, Lulzim Mashës.
Hoxhaj, i njohur si vrasës me pagesë, ka rrëfyer në Gjykatën e Posaçme detaje të tjera mbi porositë për eliminimin e biznesmenit Lulzim Masha dhe të djalit të tij. Sipas dëshmisë, për vrasjen e Mashës ishte ofruar një shumë prej 100 mijë eurosh, ndërsa për të birin 150 mijë euro, me porosi që lidhej me Eldi Dizdarin, i konsideruar një nga figurat e njohura të trafikut të kokainës.
Plani i parë ishte ekzekutimi i djalit të tij, por për shkak se nuk arritën që ta lokalizonin u vendos që objektiv të ishte babai, me qëllim që i biri të shfaqej më pas. Shkak sipas Hoxhajt thuhet të jetë bërë lidhja e vajzës së Mashës me një prej vëllezërve Dizdari.
Sipas tij kjo lidhje dështoi dhe Lulzim Masha me të birin nuk po ua kthenin pasuritë dhe pronar Dizdarëve, të cilat i kishin vendosur në emrin e tyre.
“Për Lulzim Mashën, porosinë për këtë rast, Nuredini ma ka dhënë në Kosovë, në Gjilan atje rrinte. Porosia fillimisht ishte për djalin e Lulzim Mashës, por nuk e gjetëm. Nuredini më tha se vajza e Lulzim Mashës kishte qenë e fejuar me një nga vëllezërit Dizdari dhe pas ndarjes, këta Mashat nuk i kishin kthyer disa para apo prona që Dizdarët kishin kaluar në emër të tyre“, tha ai.
Kujtojmë që në Janar të 2022, Lulzim Mashës, pronarit të shkollës “Wilson”, u tentua t’i bëhej atentat në zonën e “Liqenit të Thatë”. Një person qëlloi disa herë me armë zjarri drejt makinës me të cilën udhëtonte Masha, por që fatmirësisht plumbat nuk e prekën.