Atentati në Rrilë të Lezhës, gazetarja Klodiana Lala jep DETAJE të reja: Polici i arrestuar, shoqërues i të plagosurit!

Gazetarja Klodiana Lala ishte në emisionin “Opinion”, ku ka dhënë detaje të reja lidhur me atentatin e ndodhur në një berberhane në fshatin Rrilë të Lezhës.
Lalaj ka theksuar se shënjestra ka qenë nipi i Ardian Nikulajt, i cili është ekzekutuar për hakmarrje. Gjithashtu ajo u shpreh se në kërkim janë shpallur anëtarë të fisit të ish-deputetit të PS-së, Arben Ndoka.
Po ashtu ajo foli edhe për policin e arrestuar, duke u shprehur se ajo ka dyshime se ai ka qenë shoqërues i të plagosurit.
“Nuk ka qenë shënjestër pronari i berberhanes, por nipi i Ardian Nikulajt. Në berbarhane ka qenë vetëm fillimisht punonjësi, aty ka mbërritur një punonjës policie, që ka qenë jashtë orarit të shërbimit, ka qenë me të plagosurin G.N. Në mbrëmje, përpara berberhanes kanë ardhur dy makina dhe nga aty kanë dalë 7 persona, ku 5 persona mbanin shkopa bejsbolli dhe 2 kishin kallash. Punonjësi i policisë sa duket shoqëronte G.N. Kur ka nisur konflikti, ka pasur të shtëna nga jashtë brenda dhe nga brenda. 16 gëzhoja janë gjetur që është qëlluar edhe nga brenda. Polici ka thënë se unë parandalova tragjedi dhe prandaj kam qëlluar.
Ai është arrestuar. Janë shpallur në kërkim katër pjesëtarë të fisit të një ish-deputeti socialist. Janë disa të arrestuar për hakmarrjen e egër mes fiseve, mes tyre dhe të huaj. Në rastin që flasim, makinat janë larguar në drejtim të Fushë Krujës, ku një nga makinat është ndjekur nga pas. Janë dy fise që kanë përplasje të ashpër dhe policia është bërë palë, disa me njërën palë e disa me palën tjetër. Polici i arrestuar sot nuk kishte pse të mbante armë me vete. Shkak për plagosjen e nipit të Ardian Nikulajt është një bisedë në Sky Ecc. Në 2025, G.N godet me makinën e tij një motor, ku ishin anëtarë të fisit të ish-deputetit A.N. Ata për shkak të hasmërisë që kanë, dhunojnë çdo person që kalon aty ”, tha Lala.