Detaje të reja nga atentati në Lezhë, Polici qëlloi me 10 plumba drejt autorëve! Merando Nikulaj shpallet në kërkim

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me atentatin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Rrilë të Lezhës, ku mbetën të plagosur dy persona.
Mësohet se 21-vjeçari Merando Nikulaj, shënjestra e atentatit, kishte shkuar në një berberhane në shoqërinë e efektivit të patrullës së përgjithshme, Besart Kovaçi, i cili tashmë është ndaluar për veprën penale të moskallëzimit të krimit.
Nga verifikimet rezulton se arma e shërbimit e policit kishte 15 fishekë, ndërsa në pistoletë janë gjetur 5, duke ngritur dyshimet se ai ka qëlluar 10 herë. Ndërkohë, grupi hetimor në vendngjarje dyshon edhe për përdorimin e një arme të tretë, për të cilën kanë nisur hetimet.
Dyshohet se edhe 21-vjeçari ka mbetur i plagosur gjatë atentatit, pasi ai është kapur nga kamerat e sigurisë në vështirësi për të ecur, por ai nuk është gjetur në asnjë prej klinikave private. Për këtë arsye, është shpallur në kërkim policor për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme në zonën e Rrilës, ku një berberhane u qëllua me breshëri plumbash, duke lënë të plagosur pronarin e saj, 30-vjeçarin Sokol Daci. Në ambient janë sekuestruar 16 gëzhoja pistolete, nga të cilat 10 dyshohet se janë qëlluar nga arma e punonjësit të policisë.
Pamjet e kamerave të sigurisë kanë filmuar dy automjete tip “Audi” dhe “Passat” që ndalojnë pranë vendngjarjes. Nga mjetet zbresin 7 persona, dy prej të cilëve të armatosur me kallashnikov, të cilët kanë qëlluar mbi 30 plumba drejt sallonit.
Hetimet janë në vijim për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe sqarimin e rolit të secilit person të përfshirë.