Dy vite e gjysmë hetime ndaj Erion Veliaj, seanca mbyllet me debate, tërhiqet gjyqtarja Deda, kryebashkiaku: Po harxhoni mbi 1 milion euro duke u marrë me mua

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit ditën e sotme u mbyll senaca paraprake për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Seanca e sotme është shoqëruar me debate mes Veliajt dhe gjyqtares Etleva Deda, për të cilën kryebashkiaku i Tiranës pretendon se kjo e fundit nuk e ka lejuar që të mbrohet efektivikisht me mjete të garantuara nga ligji.
Përveç përplasjeve të shkaktuara mes kryebashkiakut dhe gjyqtares Deda, Veliaj pretendon se hetimet e kryera prej shumë kohësh ndaj tij po i shkaktojnë një dëm të madh ekonomik shtetit.
“Një vit burg, dy vite e gjysmë hetime, i ka kushtuar shtetit shqiptar me rroga prokurori, hetues, gjyqtar, logjistikë, roje, transport, administratë, ekspertë, mbi 1 milion euro. Sot është bërë grepi më i shtrenjtë se peshku që pretendoni që keni kapur” mësohet të ketë deklarauar Veliaj në seancën e sotme që u zhvillua me dyer të mbyllura.
Sipas kryebashkiakut dhe avokates së tij të caktuar kryesisht nga shteti, Valentina Teodoresku, gjyqtarja Etleva Deda u ka mohuar të drejtën që të njihen me aktet hetimore të dosjes në ngarkim të Erion Veliaj dhe më pas të shqyrtohet kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurisë.
Për rrjedhojë gjyqtarja Deda u tërhoq nga vendimmarrja e çështjes në ngarkim të Veliajt, nëse do kalohet për gjykim apo jo.
Ndërsa mësohet se seanca e radhës do të zhvillohet më 9 shkurt.