“Epsteini” ynë

Nga Mero Baze
“Epsteini” ynë është i ngjashëm me atë të SHBA-së, por jo i njëjtë. Mes të tjerash, ai është ende i gjallë. Njësoj si Epsteini tashmë edhe më i famshëm, ai josh politikanë shqiptarë riosh, nga këta ambiciozët që duan patjetër të kenë fotografi me politikanë amerikanë. Pak rëndësi ka nëse i gjejnë në kafe, në derë të tualetit apo në rrugë.
Ky është një biznes i madh, fitimprurës, që tani është shtrirë edhe në rajon, tek politikanët shqiptarë në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Madje, nga pak, edhe tek politikanët sllavë të Ballkanit, që vuajnë të njëjtat simptoma inferioriteti.
Shumica e tyre paguajnë shtrenjtë. Brenda Shqipërisë ai e mban pak dorën, sepse pagesat i shkëmben me favore politike nga ana e pushtetit dhe me një histori të pazakontë përballjeje me drejtësinë, që po shkon në vitin e saj të 18-të pa ndëshkim.
Në rajon u rjep miliona që nuk deklarohen askund, por kthehen në fatura OJQ-sh për “konferenca rajonale për paqe dhe stabilitet”.
Ndryshe nga Epsteini amerikan, ky nuk u gjen vajza të reja politikanëve të rajonit. Ai u ofron diçka që ata e dëshirojnë më shumë se seksin: fotografi me politikanë amerikanë dhe lajme për “mbështetjen amerikane” për një tufë politikanësh të dëshpëruar, që nuk ja dalin dot me kryetarët e partive në Shqipëri dhe e projektojnë veten si politikanë ndërkombëtarë.
Edhe te Epsteini amerikan shumica shkonin për influencë politike, pastaj vinte edhe seksi. Te Epsteini ynë, klientët e quajnë seks daljen në foto me politikanë amerikanë.
Ndryshe nga Epsteini i tyre, ata nuk kanë filluar ende të japin mend për politikën botërore — fjala vjen për të ardhmen e NATO-s apo Groenlandën — por “Epsteini” ynë po.
Atij i duhet: sa më shumë të flasë globalisht, aq më shumë rjep lokalisht nga kjo racë politikanësh tanë që duan foto në SHBA.
I përfshirë si agjent rekrutimi në rrjetin e “Mëngjesit të Lutjeve”, me detyrë sigurimin e klientëve fillimisht nga Shqipëria e më pas nga rajoni, ai ka ndërtuar ndoshta biznesin më fitimprurës se të gjithë politikanët shqiptarë kur nuk janë në pushtet. Nuk i deklaron këto para, i kthen në fatura dhe “nder” për fotografi në SHBA dhe, në njëfarë mënyre, u shet politikanëve shqiptarë atë që ata e meritojnë ta paguajnë: inferioritetin e tyre dhe pafuqinë për t’u realizuar si politikanë realë.
“Epsteini” ynë nuk është shumë partizan dhe nuk i fryn kurrë zjarrit të përçarjes politike në vend. Ai flet përgjithësisht për kombin, atdheun, familjen, pronën, demokracinë dhe mbi të gjitha për bashkëpunimin mes njëri-tjetrit për të mirën e vendit. Kjo është një cilësi e rrallë, e diktuar edhe nga biznesi që ofron për të gjitha palët, kur janë në hall për ndonjë foto.
Fotot janë gjithmonë me kostum e kravatë, në sallone luksoze, por fatkeqësisht zbulojnë lakuriq mjerimin dhe varfërinë e politikës shqiptare, të cilën e mjel si një kope delesh një njeri qesharak, shumë i sigurt kur flet dhe krejt i paqartë se çfarë thotë.
“Epsteini” ynë quhet Fatmir Mediu.
Nuk ka histori rozë aq të mëdha sa Epsteini origjinal, pasi është bërë i famshëm me një histori të zezë që ka varrosur 26 qytetarë shqiptarë bashkë me djalin e kryeministrit. Dhe që prej asaj dite, lutet çdo vit në “Mëngjesin e Lutjeve” në SHBA, që të ketë sa më shumë klientë nga Shqipëria dhe rajoni, të gatshëm të paguajnë për t’u dukur të rëndësishëm dhe pro-amerikanë të vendosur. Si ai.