Eurostat: Të rinjtë kryesojnë përdorimin e mjeteve të IA në BE

“Më zgjidh këtë problem matematikor”.

“Krijo një ese se si mund të përdorim algjebrën në jetën e përditshme”.

Këto mund të kenë qenë disa nga kërkesat që nxënësit të kenë kërkuar ndihmë nga inteligjenca artificiale, e shumë të tjera, në varësi të moshës, vështirësisë dhe profilit arsimor.

Sipas të dhënave të publikuara së fundmi nga Eurostat, 63.8% e të rinjve, të grupmoshës 16-24 vjeç, përdorën mjetet e inteligjencës artificiale në vitin 2025. Kjo përqindje është pothuajse dy herë më e lartë se përqindja e njerëzve në popullatën e përgjithshme që përdorën këto mjete në Evropë (32.7% e atyre të moshës 16-74 vjeç).

Të rinjtë po e përfshijnë e IA-në në fusha të ndryshme të jetës.

Përdorimi i IA-së për qëllime private ishte më i zakonshëm tek të rinjtë (44.2%) sesa tek popullata e përgjithshme (25.1%).

Siç pritej, njerëzit në grupmoshën më të re kishin më shumë gjasa të përdornin mjetet e IA-së për arsim formal (39.3%), krahasuar me 9.4% në popullatën e përgjithshme.

Në të kundërt, përdorimi profesional ishte relativisht i ngjashëm midis këtyre grupmoshave (15.8% kundrejt 15.1%), pasi shumë të rinj ende nuk kanë hyrë në tregun e punës.

Midis vendeve të unionit evropian, përqindjet më të larta të personave të moshës 16-24 vjeç që përdorën mjete gjeneruese të inteligjencës artificiale u regjistruan në Greqi (83.5%), Estoni (82.8%) dhe Çeki (78.5%).

Përqindjet më të ulëta ishin në Rumani (44.1%), Itali (47.2%) dhe Poloni (49.3%).

Back to top button
LAJMET E FUNDIT