“Hudhri nuk ngriti akuza, ai ishte gjithmonë aty për Kadarenë”, Brataj i përgjigjet Kikias: Nuk e doja drejtimin e ceremonisë te “Juvenilja”, Kadareja po trajtohej si territor

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj i cili u përzgjodh që të mbante fjalimin te ceremonia e ngritjes së shtatores së Ismail Kadaresë te “Juvenilja”, ka reaguar në lidhje me situatat e tensionuara pas asaj dite.

Nëpërmjet një postimi të bërë në rrjet, Brataj i është përgjigjur reagimit të bërë nga gazetari Mentor Kikia, për këtë situatë.

Në një postim në Facebookun e tij, gazetari dhe analisti i njohur Mentor Kikia shkroi se botuesi i librave të Kadaresë, Bujar Hudhri, të cilit nuk iu dha fjala për të folur në ceremoninë te bar “Juvenilja”, nuk është një person hipokrit, ndryshe nga seç shkruante Brataj. Duke cekur dhe nofkat që Skënder Brataj i vendosi Hudhrit, gazetari mohon që botuesi i Kadaresë synonte ta përdorte marrëdhënien me shkrimtarin, për interesa të tij. Kikia shkroi se Hudhri ka qenë jo vetëm botues i veprave të lëna pas nga Ismail Kadare, por dhe një person që ka qemë pranë tij deri në momentin që shkrimtari dha frymën e fundit.

Ndërkohë nga ana e tij, Brataj, përmes një reagimi në rrjet, pohoi përdorimin e fjalëve të ashpra ndaj Bujar Hudhrit. Por më tej drejtori i Urgjencës Kombëtare shkruan se reagimet e tij erdhën si pasojë e revoltimit të tij që të mos lejohej që Kadareja të përdorej si territor apo kujtesë private, por si pasuri publike.

Ndërsa në postimin e tij, drejtori thekson se nuk do donte kurrë që emri i figurës së shquar letrare, Ismail kadare të bëhej shkak i përplasjeve personale, etiketimeve apo debateve ditore.

Megjithatë, në reagimin e tij Brataj thekson se Ismail Kadare duhet nderuar për shkak të pasurisë letrare që ai ka lënë pas, duke nënvizuar këtu se famën nuk ia dha shtëpia botuese e Onufrit.

Reagimi i plotë nga Skënder Brataj

Përgjigje zotit Mentor Kikia.

Ju shkruani:

Mentor Kikia:

Një debat tërësisht i panevojshëm rreth dashurisë për Kadarenë!

Kam ndjekur këto ditë ceremonitë që kanë shënuar 90 vjetorin e shkrimtarit Ismail Kadare. Mes tyre edhe ceremoninë për përurimin e shtatores së Kadaresë, në oborrin e kafenesë ku ai kalonte shumë kohë, Juvenilja.

Lexova një shkrim të botuesit të Kadaresë, Bujar Hudhri, “Fjalët që nuk i thashë dot në ceremoni”, në të cilin ai me një paragraf, shprehte disaprovimin e tij që “ceremoninë e kishte drejtuar një mjek i njohur, mik i familjes”. Bëhet fjalë për drejtorin e shërbimit të urgjencës mjeksore, Dr. Skënder Brataj.

Një lloj qejfmbetjeje, që mund të jetë njerëzore kjo e Bujarit, po të kesh parasysh miqësinë e tij 30 vjeçare me Kadarenë. Por miqtë e familjes nuk i zgjedh askush tjetër, as Bujari. Megjithatë reagimi i Dr. Bratajt, pas këtyre fjalëve, mund të konsiderohet i habitshëm. Dukej gati-gati një sebep për të zbrazur “barkun” nga një mllef.

Ai e quante Bujar Hudhrin “hipokrit”, “me disa fytyra”, “njeri i vogël”, “mjeran”, “njeri që e shikon Kadarenë si pronë”, “botues që kishte vetëm interesa ekonomike tek Kadareja”, “njeriu që nuk lejonte askënd ti afrohej Kadaresë tek Juvenilja”…

Nuk i di arsyet e vërteta të kësaj armiqësie, por vetëm me dashurinë për Kadarenë këto nuk justifikohen.

Skender Brataj.

Edhe pse nuk jam miku juaj, nuk mund të jeni i njëanshëm në vlerësimin e shkrimit tim.

E lexova me vëmendje shkrimin tuaj. Do të doja që ky debat të mos ekzistonte fare, sepse Ismail Kadare nuk meriton të shndërrohet në arsye për përplasje personale, etiketime apo lexime të shtrembëruara të qëllimeve.

Dua ta them qartë që në fillim:

Unë nuk kam mohuar kurrë rolin e Bujar Hudhrit në jetën dhe veprën e Kadaresë. Askush me minimum ndershmërie intelektuale nuk mund ta bëjë këtë. Marrëdhënia e tyre ishte e gjatë, komplekse, njerëzore dhe profesionale, dhe ajo i përket historisë së letërsisë shqipe, jo debateve ditore.

Por dua të kujtoj se Kadare nuk u zbulua nga shtëpia botuese Onufri, nuk u bë famoz dhe i njohur nga ky botues vetëm pas viteve 90, ai ishte i afirmuar prej kohësh.

Dua të kujtoj se është një fakt i njohur dhe i dokumentuar se Ismail Kadare i botoi të gjitha veprat e tij të famshme, fillimisht në gjuhën shqipe në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, institucion ky shtetëror, që pavarësisht kufizimeve të forta të kohës, deri në vitin 1990 u bë një nga qendrat më të rëndësishme të prodhimit kulturor në vend. Vepra të tilla që e bënë Kadarenë të famshëm në botë, si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Kronikë në gur”, “Dimri i madh”, “Prilli i thyer” dhe “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” etj, u botuan pikërisht në këtë institucion dhe sot përbëjnë bërthamën e kanonit letrar të autorit, duke u konsideruar ndër arritjet më përfaqësuese të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Pas botimit nga “Naim Frashëri”, këto vepra u botuan jashtë vendit, kryesisht në Francë e në vende të tjera. Kadare u nominua për Çmimin Nobël në letërsi në fund të viteve 1980 kur regjimi komunist nuk kishte rënë akoma dhe kur Kadare kishte botues të parë në gjuhën shqipe Shtëpinë Botuese Naim Frashëri, Tiranë. Por ky fakt çuditërisht nuk përmendet asnjëherë. Mund të shkruaj edhe dhjetra shtëpi botuese sot nëpër botë që botojnë veprat e tij, sepse ka akoma mediokër që thonë se pa Onufrin, nuk do të ishte Kadare kaq i njohur!

Reagimi im nuk lindi nga xhelozia, as nga dëshira për protagonizëm dhe as nga pretendimi për ndonjë rol që nuk më takon. Ai lindi nga një fjali e panevojshme, e thënë publikisht, që synonte jo një mendim, por delegjitimimin e një akti simbolik dhe të një njeriu që nuk kishte asnjë ambicje tjetër, përveç respektit ndaj një figure kombëtare siç ishte Kadare dhe ashtu si na kujtonte gjithmonë ai ti mbronim ata.

Ceremonia tek “Juvenilja” nuk ishte pronë e askujt; ishte një akt qytetar, miqësor dhe simbolik nga miqtë e tij, në ata miq ku botuesi nuk pranoi të ishte pjesë vetëm se duhej paguar. As unë nuk e kërkova drejtimin e saj, as nuk e imponova veten. Ishte një nderim, jo një skenë.

Fjalët që përdora në reagimin tim ishin të ashpra nuk e mohoj. Por ato nuk erdhën nga dëshira për të ulur dikë, por nga ndjenja se Kadareja po trajtohej si territor, si kujtesë private, jo si pasuri publike. Dhe këtu është dallimi thelbësor.

Ka një vit e gjysëm që Kadare nuk është fizikisht mes nesh, por botuesi dhe ju gazetarët, nuk bëtë as përçapjen më të vogël për ti dhënë vendin e merituar Kadaresë. Sigurisht që është detyrë institucionale, prandaj ne e bëmë këtë veprim që ti nxisim ato, gjë të cilën të gjithë së bashku mund ta bënim më mirë.

Kadare u vendos në Tufinë, ndërsa ushtarëve turq ju bë memorial te liqeni. Nuk meritonte Kadare një vend në krah të vëllezërve Frashëri?

Në 1 vjetorin e vdekjes në 1 korrik dhe në 90 vjetorin e lindjes nuk meritonte Kadare emrin e një sheshi, të një rruge, të një institucioni?

Këto prisja nga ju dhe gazetarë të tjerë apo profesione të tjera dhe intelektualët shqiptarë, zoti Kikia. Ky ishte thelbi i iniciativës tonë, jo interesa të vogla personale, jo si shkrimi juaj analizon këtë si mardhënie midis dy personave, jo si ceremonitë e thata tek-tuk të bëra këto ditë që ju i paskeni ndjekur.

Do të ishte mirë një analizë e mirëfilltë i PSE-ve të kësaj situate me figurat kombëtare!

Ne miqtë e tij e realizuam qëllimin për të cilin e nisëm, e dhamë një sinjal të fortë për të treguar se figurat kombëtare na përfaqësojnë dhe duhen mbrojtur, ne këtë e bëmë nëpërmjet shtatores së Kadaresë, te Juvenilja.

Sa i përket ditëve të fundit të jetës së Kadaresë dhe urgjencës mjekësore:

Askush nuk ka akuzuar personalisht askënd. Dhimbja flet ndonjëherë më fort se racionalja, por kur flitet publikisht për sisteme, pajisje dhe shërbime, fjala nuk mbetet më private. Dhe unë kam detyrimin profesional të reagoj për institucionin që drejtoj, jo për veten time.

Kadareja nuk ka nevojë për mbrojtje, këtu jam plotësisht dakord me ju.

Por as kujtesa e tij nuk ka nevojë për gardianë, për përjashtime, apo për hierarki dashurie. Askush nuk e do Kadarenë “më shumë” se tjetri. Dashuria për të nuk matet me vite miqësie, por me dinjitet në mënyrën si e përmendim.

Nëse ky debat ka një vlerë të vetme, është kjo:

të na kujtojë se figurat kombëtare nuk duhet të na ndajnë, por të na bashkojnë.

Dhe se heshtja ndonjëherë është respekt, por herë pas here, fjala është përgjegjësi.

Me respekt,

Dr. Skënder Brataj

Back to top button
LAJMET E FUNDIT