Ish-ministri socialist dhe një kërkuese e pavarur, Qeveria propozon 2 KANDIDATË për Këshillin e Bankës së Shqipërisë

Ish-ministri Ervin Mete dhe kërkuesja e pavarur Jonida Prifti, janë dy kandidatët e propozuar zyrtarisht nga Këshilli i Ministrave, për gjashtë vende vakante në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Ervin Mete ka drejtuar Ministrinë e Financave nga shtatori 2023 deri në korrik 2024 dhe gjatë kësaj periudhe, vendi shënoi ulje të borxhit publik, forcim të disiplinës fiskale dhe ruajtje të stabilitetit makroekonomik, në një kohë kur ekonomitë europiane përballeshin me presione të forta inflacioniste dhe fiskale.
Në të njëjtën periudhë, Shqipëria doli nga lista gri për pastrimin e parave, ndërsa u ndërmorën hapa konkretë për mbylljen e disa kontratave koncesionare, në funksion të uljes së rreziqeve fiskale dhe rritjes së transparencës në financat publike.
Ndërkohë, për Jonida Priftin ka pak informacion. Ajo është një kërkuese e pavarur dhe është diplomuar me diplomë Bachelor (me nderime) në menaxhim biznesi, me profil kontabilitet profesional nga Universiteti i Westminster.
Propozimi i tyre është bërë sot nga Këshilli i Ministrave, ndërkohë që vakante janë gjashtë vende.
Në fund të dhjetorit 2025, përfundoi mandati i gjashtë prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, duke përfshirë zëvendësguvernatoren e parë, Luljeta Minxhozi dhe anëtarët Ridvan Bode, Suela Popa, Edlira Luçi, Artan Hoxha dhe Violeta Staka.