Jo vetëm Elisa Spiropali, socialistët “zbarkojnë” në Uashington, priten me nderime nëpër takime nga zyrtarët amerikanë

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi së bashku me deputetin Damian Gjiknuri ndodhen këtë të martë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përveç, Elisa Spiropalit e cila po ashtu bëri të ditur më herët se ndodhet në Uashington ku dhe u prit në Shtëpinë e Bardhë nga Charles McLaughlin, edhe Peleshi me Gjiknurin kanë zhvilluar takime zyrtare.
Kanë qenë të dy socialistët ata të cilët në rrjete e tyre sociale kanë publikuar foto nga takimi që patën me kongresmenin Keith Self, Kryetar i Nënkomisionit për Europën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
“Mbështetja e palëkundur e Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë, forca e Partneritetit Strategjik Shqipëri-SHBA, si dhe angazhimi amerikan për reformat, paqen dhe sigurinë në rajon e në botë, elementë thelbësorë të bashkëpunimit mes dy vendeve”, shkruan Peleshi, ndërkohë që Gjiknuri bëri me dije se gjatë këtij takimi u ndalën te çështjet e bashkëpunimit dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve.
“Bashkë me Kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi patëm kënaqësinë të takonim Kongresmenin Keith Self, Kryetar i Nënkomisionit për Europën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Gjatë bashkëbisedimit u ndalëm në çështjen e bashkëpunimit dhe Partneritetin Strategjik mes dy vendeve tona. Shprehëm falenderim për rolin e Shteteve të Bashkuara në mbështetje të rrugës euroatlantike të Shqipërisë por edhe angazhimin për paqen e sigurinë në të gjithë botën”, shkruan Gjiknuri.