“Ju garantoj që nuk do t’i hiqet imuniteti Belinda Ballukut”, deklarata e Sali Berishës pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Ish-kryeministri Sali Berisha është pyetur ditën e sotme lidhur me qëndrimin që do të mbajë forca politike që ai drejton sa i përket çështjes “Balluku”, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në reagimin e tij, Berisha shprehu bindjen se mazhoranca nuk do të lejojë heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, duke e cilësuar shumicën aktuale si një strukturë tërësisht të kapur dhe të kriminalizuar.
Sipas tij ndryshimi i reformës në drejtësi dhe i ligjeve do të jenë dhe “çelësi” i socialistëve. Më tej ai paralajmëroi se Partia Demokratike dhe opozita do ta vazhdojnë betejën politike pa u tërhequr.
“Na mbetet ne, ne tani jemi në betejë dhe ne absolutisht, ja do vdesim, ja do rrojmë dhe këtë qeveri nuk do ta durojmë dot më”, tha ai.
Si do të veprojë Partia Demokratike dhe opozita nëse Kuvendi nuk e fut në axhendë të shpejtë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, tani pasi Kushtetuesja e rrëzoi kërkesën e Ramës për pezullimin e saj nga detyra?
Sali Berisha: Ju garantoj se kjo organizatë kriminale nuk do t’ia heqë imunitetin Ballukut. Ju e dëgjuat Ulsiun dje, do ta ndryshojmë reformën e drejtësisë, do t’i ndryshojmë ligjet dhe kjo ndodh sepse kemi të bëjmë, duhet të kërkojmë mirëkuptimin tuaj, kemi të bëjmë me një organizatë të vërtetë kriminale me në krye Edi Ramën. Ulsiu që flet ashtu, mos harroni se në dosjet që ka SPAK është njeriu që ka marrë 2 kostume nga Altin Hajri, i cili i thotë Çyrbes: shiko, merrja pak masën se është treguar burrë i mirë për ato që premtoi.
Na del që kostumet t’i veshë Ulsiu, që deklaroi dje se do të ndryshojë reformën, është njeriu që në dosjet e SPAK ka telefonatat nga Londra, kur i thotë trafikantit: “i more ato 500 mijë euro?”, “i mora, i mora”, i thotë, “por më duhet edhe një çantë LV”, “po për çfarë të duhet?”, i thotë, “e dua për gruan”, i thotë, “jo, jo, nuk e ke për gruan ti atë”, i thotë… por s’po futem më në pjesën tjetër të bisedës. Na mbetet ne, ne tani jemi në betejë dhe ne absolutisht, ja do vdesim, ja do rrojmë dhe këtë qeveri nuk do ta durojmë dot më.
Kujtojmë se ditën e djeshme pas një seancë maratonë prej 10 orësh, Gjykata Kushtetuese vendosi që të mos dalë me një qëndrim mbi mosmarrëveshjen Qeveri-Drejtësi.
Siç raportuam dhe më herët mos arritja e kuorumit të nevojshëm prej 5 votash solli si rrjedhojë rrëzimin me procedurë të kërkesës së qeverisë, sa i përket ankimimit të vendimit të GJKKO-së për pezullimin e zëvendëskryeministres dhe njëkohësisht ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Trupa e gjykatësve e cila përbëhet nga 8 anëtarë votuan 4 me 4. Pro kërkesës së qeverisë votuan: Marjana Semini, Gent Ibrahimi, Sonila Bejtja dhe Fjona Papajorgji (kryetare e GJK).
Ndërsa kundër votuan: Marsida Xhaferrllari, Asim Vokshi, Sandër Beci dhe Ilir Toska votuan kundër.