Kush janë 447 personat që do lirohen pas amnistisë? Flet Ministri Lamallari

Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari, i ftuar në Klan News, komentoi amnistinë penale, e cila u miratua sot në 6 shkurt nga qeveria.
Lamallari tha se nga amnistia kanë përfituar persona që kanë kryer vepra të lehta penale dhe jo ata që janë në burg për krime të rënda si vrasja, terrorizmi etj. Ai tha se nuk kanë përfituar as persona nën hetim apo të dënuar nga GJKKO-ja. Ministri dha edhe detaje, duke thënë se nga 447 personat që do lirohen, 4 janë të mitur, 5 gra dhe 7 shtetas të huaj.
“Ka qenë një kënaqësi që miratuam amnistinë penale. Politika penale në Shqipëri duhet të ndryshojë në frymën e standardeve ndërkombëtare. Përmes amnistisë bëmë një hap human. Kjo ndihmon edhe në shmangien e mbipopullimit të burgjeve në vendin tonë. Është një akt human, që familjarët të presin të afërmit në shtëpi. Flasim gjithmonë për vepra të lehta penale dhe jo të rënda. Disa nga të dënuarit, një pjesë të vuajtjes së dënimit e kanë shlyer. Jemi koshientë që veprat penale të rënda nuk mund të amnistohen. Nga 447 persona që do lirohen, 4 janë të mitur, kemi 7 shtetas të huaj, kemi dhe 5 gra. Duhet parë si akt human dhe mundësi e dytë që ju jepet këtyre personave”, tha Lamallari.
Duke folur për pagat e gjyqtarëve, Lamallari u shpreh se problem në drejtësi shikon faktin që nuk janë plotësuar vendet vakante dhe që të marrë fund stoku i madh i dosjeve, që nuk janë gjykuar ende. Ai shtoi se e sheh absurde kërkesën e gjyqtarëve për rritje pagash, duke thënë se zyrtarët e drejtësisë kanë rrogat më të larta në rajon e madje marrin dhe më shumë se kolegët në Greqi.
“Ne duhet të shohim a kemi ne sot çështje që përfundojnë në kohë apo kemi shumë çështje penale që zvarriten? Kam ngritur shqetësimin për stokun e madh të dosjeve dhe vonesat në gjykim. Edhe plotësimi i vakancave në drejtësi është çështje e rëndësishme. Nuk është problem paga e gjyqtarëve, që janë më të larta se në vendet e rajonit dhe më të larta se në Greqi. Kërkesa e tyre për rritje page është absurde. Qëndrimi i yni si qeveri është ky dhe ky qëndrim është mbajtur edhe në Gjykatën Kushtetuese’, deklaroi Lamallari.