Ligji i ri për emigrantët e Greqisë vështirëson situatën, shqiptarët pajisen me karta të skaduara, masa pezulluese për ata që nuk kanë leje qëndrimi

Ministria e Migracionit dhe Azilit në Greqi, së fundmi ka paraqitur një ligj që synon modernizimin e sistemit të lejeve të qëndrimit dhe reduktimin e burokracisë, nga i cili preken dhe emigrantët shqiptarë.
Gazetarja shqiptare Nilda Baxha e cila prej kohësh jeton në Athinë, ka dhënë më shumë detaje në lidhje me këtë ligj. Sipas saj, ky ligj synon që të rregullojë mungesën e fuqisë punëtore dhe të reduktojë burokracinë. Mirëpo ky vendim nuk është pritur mirë nga zërat përfaqësuese të emigrantëve në Greqi.
Por megjithatë, sipas Baxhës, ky është moment historik, sepse për herë të parë në debate parlamentare u përfshinë zëra nga komuniteti.
“Javën e kaluar është zhvilluar një debat mjaft i rëndësishëm. Ishte hera e parë që morën pjesë dhe përfaqësues nga Forumi Grek i Emigrantëve. Ne shqiptarët u përfaqësuam nga Rovena Xhori dhe Alda Shashati,” bën me dije gazetarja.
Projektligjin e ri, gazetarja shqiptare e krahasoi me thërrimet që u hidhen pëllumbave për t’i mbajtur afër, në rastin konkret siç po vepron qeveria greke me shtetasit shqiptarë që jetojnë atje.
“Personalisht më kujton ato thërrimet që u hidhen pëllumbave për t’i mbajtur afër. Historia jonë 35-vjeçare e emigracionit ka kaluar nëpërmjet zvarritjeve burokratike, abuzimeve të ndryshme, vonesave të pajustifikuara, dhënieve të kartave të skaduara, të cilat kanë sjellë mërzitje dhe ankth veçanërisht te ne të brezit të parë. Tashmë brezi i 50-60 vjeçarëve janë në moshën e pensionit.Atyre u jepet mundësia për një rinovim të lejeve të qëndrimit vetëm nëse do të kenë sigurime shoqërore. Këtu ka një kleçkë, sepse nëse nuk janë në marrëdhënie pune u duhet t’i paguajnë vetë ato. Mund të jepet një lehtësim të rinovimit të lejes së qëndrimit, ka një anë pozitive, por flasim për një brez që ka mbuluar punët më të rënda, punët në ndërtim, në turizëm, në mbledhjen e ullinjve, agrumeve e të tjerë” sqaroi Baxha në lidhje me situatën.
Ndërsa më tej gazetarja sqaroi se emigrantët që kanë mungesë punësimi prej 3-6 muajsh rrezikojnë të mbeten pa karta. Baxha shpjegoi se kjo është mjaft e vështirë pasi jo të gjithë janë në punë gjatë gjithë vitit, pasi ata punësohen kryesisht në periudha sezonale.
Ndonëse jepet mundësia që emigrantët të paijsen me kartë identiteti 10-vjeçare mësohet se ato do të kushtëzohen me një provim të vështirë. Sipas Baxhës, një 50-vjeçar i cili është i punësuar në Greqi, e ka shumë të vështirë që të mësojë nga fillimi gjuhën greke.
“Një 50-vjeçar që punon për një kohë të gjatë duhet të lexojë shumë dhe të japë provim për gjuhën, kulturën greke, antikitetin, gjeografinë, historinë,” u shpreh gazetarja.
Mësohet se nga 400 mijë emigrantë shqiptarë në Greqi, aktualisht janë 84 mijë çështje në proces shqyrtimi të cilat presin në radhët e administratës greke.
“Ministrit të Migracionit dhe Azilit, Thanos Plevris, iu kërkua që të ketë një rritje të nëpunësve të cilët merren me këto dokumentacione të dorëzuara nga emigrantët, sepse zvarritjet janë shumë të gjata dhe shpesh emigrantët janë pajisur me karta të skaduara. Nuk pati përgjigje prej tij. Madje dhe ai vetë e pranon që ka pasur burokraci dhe zvarritje por nuk jep asnjë zgjidhje” shton më tej Baxha.
Gazetarja sqaroi se për shkak të vonesavetë çështjeve deri në 2 vite, shumë emigrantë pajisen me karta që mbajnë një datë të pavlefshme, për të vijuar qëndrimin e tyre në Greqi.
Baxha theksoi gjithashtu se ashpërsimi i tonit të ministrit Thanos Plevris ndaj emigracionit mund të jetë i lidhur me zgjedhjet e ardhshme.
Ministri ka paralajmëruar masa të rrepta, duke përfshirë deportime, gjoba dhe burgim për ata që nuk rregullojnë statusin, duke e cilësuar rënien e flukseve migratore si një “fitore” të qeverisë Mitsotakis.
“Zgjidhja e vetme është që ne emigrantët të organizohemi në protesta paqësore për t’i dhënë një mesazh qeverisë greke për atë pjesë emigrantësh që kanë kontribuar në mënyrë të ndershme,” përfundon gazetarja shqiptare.