Maksuti dhe Dumani “nuk bëjnë pas”, shtyhet gjyqi për të pandehurit e AKSHIT, prokurorët kanë marrë dëshmi “ekstra”

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të shtyjë për në datë 5 Shkurt vendimin për kërkesën e depozituar nga të pandehurit e dosjes “AKSHI”, për zëvendësimin e masave të sigurisë. Zyrtarë dhe ish-zyrtarë, kërkojnë masa më të buta sigurie.
Përkundër kërkesës së tyre, prokurorët e çështjes Bledar Maksuti dhe Altin Dumani i kanë qëndruar vendimit të Prokurorisë së Posaçme, për lënien në fuqi të masave të sigurisë të kërkuara nga SPAK dhe të vendosura më herët nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë.
Sipas tyre, organi i akuzës ka marrë dëshmi të tjera shtesë, gjatë kësaj periudhe, për personat e pandehur në dosje dhe veprimet e tyre të dyshuara të paligjshme.
Ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Infromacionit, njohur si AKSHI, Mirlinda Karçanaj nuk ka marrë pjesë vetë në këtë seancë, por është përfaqësuar nga avokati mbrojtës. Ajo është në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Pas përfshirjes në skandalin e tenderave dhe masës së vendosur ndaj saj, Mirlinda Karçanaj i ka deleguar Romina Kostanit, kompetencat për drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme:
Një hetim i gjerë i Prokurorisë së Posaçme, i zhvilluar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, ka zbuluar një skemë të dyshuar kriminale të manipulimit të tenderave publikë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, përmes presionit, dhunës dhe heqjes së paligjshme të lirisë.
Sipas SPAK, hetimi ka çuar në caktimin e masave të sigurisë për tetë persona, me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mes personave ndaj të cilëve janë vendosur masa janë edhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, si dhe zëvendësdrejtoresha Hava Delibashi, për të cilat gjykata ka vendosur masën e “arrestit në shtëpi”.
Më herët u bë me dije se në qendër të hetimit janë edhe Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiri, të cilët akuzohen për disa vepra të rënda penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, shkeljen e barazisë në tendera, heqjen e paligjshme të lirisë, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Për ta është vendosur masa e “arrestit me burg”, por ajo nuk është ekzekutuar, pasi të dy nuk janë arrestuar gjatë operacionit.
“Në kuadër të veprimtarisë së grupit të strukturuar kriminal, shtetasit e dyshuar kanë konsumuar veprën penale të konkurrencës së paligjshme përmes dhunës dhe kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, duke i hapur rrugë kompanive të paracaktuara për t’u shpallur fituese”, thuhej në njoftimin e SPAK.
Personat e përfshirë në këtë skemë kanë ushtruar presion ndaj përfaqësuesve të kompanive që merrnin pjesë në procedura tenderimi, duke i detyruar ata të tërhiqnin ankesat administrative. Ky veprim, sipas organit të akuzës, ka favorizuar kompani të paracaktuara, të cilat përfitonin kontratat publike, në raste kur shqyrtimi i ankesave mund të kishte ndryshuar rezultatin e garës.
Në këtë çështje dyshohet se është përfshirë edhe një zyrtar i Policisë së Shtetit. Sipas SPAK, Erion Ismaili, zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës, është vënë nën masën e “pezullimit nga detyra” dhe “ndalimit për të dalë jashtë vendit”.
Gjithashtu, tre biznesmenë të tjerë, Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta, akuzohen se kanë qenë pjesë e skemës së manipulimit, përmes lëshimit të faturave fiktive ose pjesëmarrjes formale në gara tenderimi, pa kryer realisht shërbime apo punë. Për ta është vendosur masa e sigurimit “ndalim për të dalë jashtë vendit”.