“Me ty do merrem personalisht”, ZBARDHET audiopërgjimi, përplasja mes avokatit dhe prokurorit Ceka në sallën e gjyqit, Prokuroria merr vendimin

Një përplasje verbale mes avokatit Ulian Bajrami dhe prokurorit Gjergji Ceka u regjistrua gjatë një seance gjyqësore të zhvilluar në tetor të vitit të kaluar. Nga audiopërgjimi i siguruar së fundmi për mediat, gjatë seancës avokati kundërshtoi provat e paraqitura nga organi i akuzës ndaj klientit të tij, duke pretenduar se ato ishin të pavërteta dhe të pasakta.

Debati mes palëve u shoqërua me tone të ashpra, çka solli ndërhyrjen e gjyqtares së çështjes, Megi Strakosha. Ajo tërhoqi vëmendjen ndaj gjuhës së përdorur në sallë, duke theksuar se një komunikim i tillë nuk tolerohej dhe duke paralajmëruar masa disiplinore në rast të vijimit të së njëjtës sjellje.

Asokohe ndaj avokatit Bajrami u vendos masa “arrest me burg” pasi akuzohej për veprat penale  “kanosje për shkak të detyrës”, “kundërshtim dhe goditje e gjyqtarit” si dhe “kanosje e gjyqtarit”. Ai u la i lirë disa ditë më pas, ndërkohë që kjo masë e vendosur ndaj tij shkaktoi irritim ku kolegë të shumtë i dolën në krah avokatit.

Ndërkohë së fundmi Prokuroria e Tiranës ka vendosur që të pushojë këtë çështje. Përmes një njoftimi zyrtar Prokuroria bën me dije se kërkesa për pushim i është përcjellë gjykatës, duke i dhënë fund hetimeve të nisura pas incidentit në sallën e gjyqit.

“Prokuroria e Tiranës kërkon pushimin e çështjes për procedimin penal nr. 7882, të regjistruar për veprat penale ‘Kanosje për shkak të detyrës’, ‘kundërshtimit dhe goditjes së gjyqtarit’ dhe ‘kanosjes së gjyqtarit’ ndaj shtetasit Ulian Bajrami për ngjarjen e regjistruar më 17.10.2025 në Elbasan”, thuhet në njoftim.

Pjesë nga audio-përgjimi:

Avokati: Kërkesa e prokurorit për caktim mase dhe vlerësim arresti bazohet në disa prova, një ndër to tregon se ka pasqyrim të rremë të të dhënave Do merrem personalisht me prokurorin edhe me oficerët e policisë gjyqësore. Do të bëj kallëzim

Prokurori: Do arrestohet ai

Gjyqtarja: Hera e fundit, nuk funksionon me kërcënim në sallën e gjyqit, nuk ka rëndësi çfarë bëni jashtë kësaj salle, ky lloj komunikimi në sallë me mua gjyqtare nuk lejohet, përqendrohu tek mbrojtja ose të nxjerr përjashta dhe caktoj një avokat kryesisht. Paralajmërimi i fundit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT