Nga Kuvendi te QSUT e tani te “Ilyrian Guard”, ish-deputeti socialist prezantohet nga ministrja Koçiu: Një kapitull i ri nis sot (EMRI)

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Florenc Spaho, do të jetë në krye të “Illyrian Guard”, duke zëvendësuar në këtë post Enrik Banushin, i cili është larguar nga drejtimi i kësaj kompanie.

Emërimi i Spahos u prezantua sot nga ministrja e Brendshme, Albana Koçiu e cila vlerësoi ndryshimin e lidershipit si nisjen e një kapitulli të ri për “Illyrian Guard”.

Përmes një postimi në rrjetet e saj sociale ministrja Koçiu theksoi se emërimi i Spahos në këtë post shënon një vizion të qartë për transformimin e kompanisë në një strukturë moderne sigurie, me standarte të larta profesionale, menaxhim efikas dhe cilësi të qëndrueshme shërbimi.

“Një kapitull i ri nis sot për Illyrian Guard, me drejtimin e Florenc Spaho.  Me përvojën e tij, aftësitë në lidership dhe natyrën bashkëpunuese, Florenci do të çojë përpara vizionin tonë për transformimin e Illyrian Guard në një kompani sigurie shtetërore me menaxhim efikas, standarde të larta shërbimi dhe plotësisht konkurruese në treg”, shkruan ministrja.

Spaho ka mbajtur më parë, për një periudhë të shkurtër, edhe postin e drejtuesit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Nga ana tjetër, Enrik Banushi ishte emëruar në krye të “Illyrian Guard sh.a.” në dhjetor të vitit 2024, pas largimit nga kjo detyrë të ish-deputetit socialist Anduel Xhindi.

“Illyrian Guard” është një shoqëri tregtare me kapital 100% shtetëror, e cila ofron shërbime sigurie kundrejt pagesës për subjekte të treta, si publike ashtu edhe private, në fushën e rendit dhe sigurisë publike.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT