“Nuk duam qeveri teknike”, Shehaj: S’kemi asgjë të përbashkët me partitë e vjetra, jemi kundërshtarë të flaktë

Kryetari i partisë Mundësia, Agron Shehaj, ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku mohoi kategorikisht mundësinë e një bashkimi me Sali Berishën.

Ai theksoi se largimi nga PD-ja ka ndodhur për arsye të qarta, të cilat vijojnë të mbeten të pandryshuara.

Shehaj u shpreh se rreth 50 mijë qytetarë në Shqipëri e kanë votuar partinë e tij, sepse u është thënë hapur se nuk ka asnjë arsye për t’i dhënë një shans tjetër Sali Berishës dhe politikës së vjetër.

“Ne nuk kemi asgjë të përbashkët me partitë e vjetra, por jemi kundërshtarë të flaktë, mbi çështjen kryesore, drejtësia, nga e cila varet e ardhmja e Shqipërisë,” shprehet Shehaj

Nga ana tjetër, Ermal Hasimja sqaroi se nuk bëhet fjalë për një bashkim politik, por vetëm për ulje në tryezë.

Biseda e Plotë: 

Agron Shehaj: Qëndrimin tim e kam mbajtur. Ne duhet të kuptojmë një gjë, nxorrëm një kandidat ndryshe dhe hodhëm propozimin e kandidatit që të përfaqësojë votuesit opozitarë dhe jo partitë politike, për të vajtur përtej partive politike dhe kandiduam Ermalin. Ne kemi ikur nga PD, për disa arsye që Ermali i di dhe ato qëndrojnë. Këto çështje që na kanë ndarë nga PD, vijojnë të jenë aty, nuk ka asnjë ndryshim.
Nxjerrja e një kandidati jashtë partive, ishte mënyra për të patur një alternativë të besueshme, për ti dhënë një shans Tiranës. Ky ishte qëllimi ynë. Nuk e kam kuptuar pse doli ky propozim nga Ermali? Ne na kanë votuar 50 mijë qytetarë në Shqipëri, pasi i thamë që Berisha ka patur shanse ta qeverisë Shqipërinë dhe nuk kemi pse i japim arsye tjetër. Dhe na kanë votuar. Ne nuk kemi asgjë të përbashkët me partitë e vjetra, por jemi kundërshtarë të flaktë, mbi çështjen kryesore, drejtësia, nga e cila varet e ardhmja e Shqipërisë. Për cfarë diskutojmë? Zgjedhje të lira dhe të ndershme? Po ishim edhe përpara ne për këtë të bashkuar. Qeveri teknike? Jo faleminderit, nuk e duam. Kodi Zgjedhor? Në 35 vjet dy partitë e mëdha janë bërë bashkë dhe kanë bërë kod zgjedhor kundër partive të vogla. Se të bashkohemi për zgjedhjet të lira kur nuk varen nga ne? Si mund të bëhet një qeveri, ku të votohet në Parlament, ku Rama ka 86 mandate? Si do të bëhet kodi zgjedhor, kur Edi Rama ka 86 mandate? Ky bashkim nuk ka kuptim.

Ermal Hasimja: Nuk është fjala për bashkim, por për ulje në tryezë. Zoti Shehaj thotë nuk ulemi në tryezë, për problemet që tha, nuk ulemi me Sali Berishën, dhe me PD-në, nga partia nga ka ardhur edhe vetë. Gjithsesi është qëndrimi i zotit Shehaj. Këto objektiva që thashë unë, a nuk janë edhe objektivat e Mundësia dhe Lëvizja Bashkë? Më duket se janë.
Edhe çështja e zgjedhjeve të lira, edhe mbështetja e një drejtësie kushtetuese. Kur flasim për tryezën, politika, që edhe kam studiuar, politika në thelb është diskutim, debat, kompromis. Politika është negocim. Edhe Shehaj edhe Qori thonë nuk diskutojmë me këta, por këta ulen çdo ditë nëpër komisione me Partinë Socialiste. Votuan për Bordin e Paqes.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT