“OLAF” zbarkon në Korçë, vijojnë hetimet për 20 punonjës policie: Si përmes “Frontex” i shkaktuan shtetit dëm ekonomik prej 3 milion eurosh (SKEMA)

Ditën e sotme janë ushtruar kontrolle në qytetin e Korçës ku mësohet të ketë marrë pjesë dhe një prokuror i Zyrës Kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF-it).

Burime për gazetarin Elton Qyno kanë bërë me dije se qëllimi i vizitës së se Prokurorit nga Bashkimi Europian lidhen me një rast mashtrimi ekonomik ku dyshohet të jenë përfshirë punonjës së Policisë së Shtetit, të cilët kanë kryer shërbim pranë misionit “Frontex”.

Në bashkëpunim me efektivë të huaj, Policia e Shtetit mësohet se pas hetimeve të kryera përzgjidheshin nga ish-drejtori i Kufirit në Policinë e Shtetit, e më pas shërbenin bashkarisht për “Frontex”.

Të gjitha kostot, duke filluar nga orët e shërbimit, dietat ushqimore si dhe fjeten e efektivëve të Policisë së Shtetit, mbuloheshin nga “Frontex” i cili për një pjesë financohej nga Bashkimi Evropian.

Por burime për Qynon bëjnë me dije se pjesa  e financimit ka qenë një mashtrim. Për rrjedhojë, përveç Prokurorisëq së Korçës, hetimet kanë nisur dhe nga Zyra Kundër Mashtrimit Ekonomike (OLAF).

Kujtojmë se një prokuror i zyrës së lartopërmendur, në muajin Nëntor të 2025 mbërrit në Korçë duke kërkuar më shumë dokumente dhe hetime të ushtruara në sajë të çështjes.

Prokurori ka kërkuar të njihet dhe me aktet hetimore dhe formën e mashtrimit që prokuroria e Korçës arriti ta provojë ndaj 20 punonjësve të Policisë së Shtetit.

Në kuadër të hetimeve të përbashkëta, mësohet se OLAF-i përmes një letërporosie ka tërhequr dosjen shqiptare, me qëllim studimin e saj në Poloni.

Rasti në fjalë tregoi zbulimin e një prej skemave mjaft të sofistikuar të vjedhjes së fondeve të Bashkimit Evropian nga ana e zyrtarëve të Policisë së Shtetit.

Skema shtrihej nga zyrtarët e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit dhe më pas zbatohej në sektorin e shërbimit të efektivave të policisë pranë zonave kufitare.

Qindra e qindra mandate pagesash të falsifikuara nga punonjës policie, kanë çuar në një dëm ekonomik përr afro 2 milion e 700 mijë euro.

Sipas dosjes hetimore, punonjës policie janë angazhuar me “Frontex”, të cilët pasi janë akomoduar në hotele janë pajisur edhe me faturat tatimore përkatëse, referuar netëve që kanë fjetur.

Njëri nga pronarët e hoteleve,i cili është vënë nën hetim për rastin në fjalë, në dëshminë e tij ka zbuluar: “…të përhershëm, ka në hotel grupin e antikontrabandës të cilët kryejnë shërbim në PKK Kapshticë, kurse pjesa e punonjësve të policisë që janë të angazhuar me “Frontex” vijnë rrallë…”.

Në dëshminë e tij, pronari i sipërmendur u shpreh se nuk e mban mend konkretisht numrin e saktë të punonjësve të policisë, por i sigurt theksoi se bëhet fjalë për një numër të vogël.

“…pasi flinin në hotel këta punonjës policie i paraqisnin një fletë e cila quhet “INVOCE” të cilët e merrnin tek “Forntex” dhe ai ja vuloste me vulën e firmës që drejton, kurse nga korriku 2021 e në vazhdim unë po procedoj me programin e fiskalizimit…” ka zbuluar pronari i hotelit.

I pyetur nëse ka patur raste që në këtë hotel të kenë fjetur edhe punonjës të PKK Kapshticë si psh: inspektor Edi Spaho, inspektor Adi Bregu, inspektor Markeljan Murati, Inspektor Gerti Haxhia, Inspektor Endri Duro, Inspektor Mentor Bushi etj, ai tha se nuk mban mend asnjërin prej emrave. Ndërsa me siguri të plotë nënvizoi se shtetasi Edi Spaho nuk ka qenë në hotelin e tij.

“…nga emrat që më thoni unë nuk mbaj mend asnjë nga emrat që përmenden më sipër nëse kanë fjetur apo jo në hotelin tim. Në lidhje me këtë më duhet të shikoj praktikat pranë hotelit, por me siguri të plotë them që Edi Spaho, nuk ka fjetur në hotelin tim…“.

Ndërsa më tej , në kuadër të kësaj dosjjeje, hetimet kanë nxjerrë në pah se punonjës policie në Gjirokastër, kanë arritur të marrin fatura në subjekte ndërtimi, duke i servirur ato si fatura shpenzimi në hoteleri dhe restorante ushqimi.

Pas mbledhjes së faturave me çmime shërbimi mjaft të kripura ato dorëzoheshin në Zyrën e Financave, ku më pas bëhej pagesa.

Rasti në fjalë vijon të jetë ende hetim, por pritet që në ditët në vijim prokuroria e Korçës të mbyllë hetimet, duke dërguar në gjykatë mbi 20 punonjës policie që kanë abuzuar me detyrën e tyre duke sjellë një dëm prej gati 3 milion euro.

Gjithashtu nga hetimet ka rezultuar e provuar se nga punonjësit e policisë në nivelin drejtues, në shpërdorim të detyrës, janë nxjerrë një numër i konsiderueshëm urdhëra transferimi fiktivë në Stacione të ndryshme të Policisë Kufitare, në juridiksionin e DVKM Korçë, me qëllim favorizimin e punonjësve të Policisë në përfitime të paligjshme.

Ndërsa nga Sektori i Financës në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit, në tejkalim të kompetencave ligjore dhe në shpërdorim të detyrës, bazuar në dokumentacionet fiktive të paraqitura nga punonjësit e policisë, janë lëvruar shuma në euro, të cilat përfshinin shpenzime akomodimi, fjetje, apo dieta të ndryshme.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT