Pas përplasjes me Kishën Ortodokse, Bashkia e Himarës pezullon punimet në resortin luksoz

Bashkia Himarë ka pezulluar punimet në kompleksin turistik “Strata Luxury Villas”, në zonën e Livadhit, pas ankesës së bërë nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë për konflikt pronësie.

Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, për “MA Shqip”, i cili bëri me dije se punimet do të mbeten të pezulluara deri në sqarimin ligjor të çështjes mes palëve.

Tavo u shpreh se Bashkia është vënë në dijeni për pretendimet e Kishës dhe ka kryer verifikime si në terren, ashtu edhe në dokumentacion.

“Ndërtuesi rezulton se ka vendimin për zhvillimin e zonës dhe lejen e ndërtimit të dhënë nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Kjo leje është dhënë pasi ndërtuesi dispononte certifikatën e pronësisë për një sipërfaqe prej 2260 m². Kjo pronë është blerë nga një banor i Himarës, i cili jeton dhe punon në Greqi,” u shpreh Tavo.

Sipas tij, Kisha Ortodokse disponon me një vendim gjykate që e njeh atë si pronare të tokës, por ky vendim nuk është regjistruar në Kadastër.

“Kisha duhet ta kishte regjistruar vendimin në Kadastër, në mënyrë që prona të mos tjetërsohej. Për shkak se nuk është regjistruar, AMTP-ja dhe komisioni i ndarjes së tokave në vitin 1991 ia ka kthyer këtë pronë banorëve të zonës, të cilët më pas e kanë regjistruar në Hipotekë,” shtoi Tavo.

Pas përplasjes me Kishën Ortodokse, Bashkia e Himarës pezullon

Ai pranoi gjithashtu se në këtë proces ka pasur gabime, si nga institucionet, ashtu edhe nga Kisha, për shkak të mungesës së regjistrimit të pronës. Për këtë arsye, Bashkia ka vendosur pezullimin e punimeve deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.

Po ashtu ai u pyet edhe për rrugën hyrëse dhe dalëse të resortit, të miratuar nga Bashkia, Tavo bëri me dije se ajo është vendosur mbi pronë publike.

“Në sistemin elektronik, rruga rezulton mbi pronë publike dhe jo private. Nëse do të ishte pronë private, nuk do ta kishim miratuar,” u shpreh ai.

Nga ana tjetër, burime të “MA Shqip” shprehen se ndërtuesit, vëllezërit Bashkim dhe Shefki Karamuça, pretendojnë se e kanë blerë tokën në mënyrë të ligjshme nga një shtetas himariotë që jetojnë në Greqi, i cili e kishte përfituar pronën përmes AMTP-së në vitin 1991.

Ndërkohë, banorë të zonës shprehen se toka në fjalë njihet historikisht si pronë e Kishës, ashtu si një pjesë e konsiderueshme e tokave në Himarë.

Çështja pritet të përfundojë në gjykatë, ndërsa pezullimi i punimeve do të mbetet në fuqi deri në marrjen e një vendimi përfundimtar mbi pronësinë.

Pas përplasjes me Kishën Ortodokse, Bashkia e Himarës pezullon

Back to top button
LAJMET E FUNDIT