“Përgjithmonë në zemrat tona!” Shokët e klasës homazhe për Xhesikën, vajzën që u shua së bashku me prindërit dhe vëllain e saj

“Xhesika do të jetojë gjithmonë në zemrat tona. Na mungon shumë”, kështu e kujtojnë shokët dhe miqtë 15-vjeçaren Xhesika Kola, e cila humbi jetën së bashku me babain Arti, nënën Jonida dhe vëllain Hajdar, për shkak të rrjedhjes së monoksidit të karbonit në shtëpinë e tyre në Porcari, Itali.
Të enjten mbrëma, shumë të rinj dhe prindërit e tyre u mblodhën për të bërë homazhe dhe për të nderuar kujtimin e familjes. Tragjedia ka prekur edhe shkollën e mesme të Porcarit, ku mëson kushëriri i Xhesikës dhe Hajdarit, djali i Durim Kolës, vëllait të Artit. Ai kishte hyrë në shtëpi mbrëmjen e së mërkurës bashkë me karabinierët duke u përpjekur të shpëtonte familjen.
Durimi u shtrua në spital pasi kishte thithur monoksid karboni, por u kthye në shtëpi të enjten dhe është jashtë rrezikut për jetën, megjithëse i tronditur thellë. Ai ka thënë për njerëzit më të afërt: “Nuk arrita t’i shpëtoja.”
Prokuroria e Luccas ka urdhëruar autopsinë e trupave, ndërsa shtëpia mbetet e sekuestruar. Hetimet po vazhdojnë dhe nuk përjashtohet mundësia e ekspertizës mbi kaldajën. Aktualisht nuk ka persona të regjistruar si të dyshuar, por është hapur një dosje për vrasje nga pakujdesia e shumëfishtë.