Përplasja e të rinjve të familjeve Ndoka e Nikulaj në Lezhë, trondit gazetari: Mosarrestimi, paralajmëron që do ketë ngjarje tjetër, pasojat të jashtëzakonshme

Gazetari i njohur i kronikës, Artan Hoxha thotë se mosarrestimi i personave të tjerë të implikuar direkt ose indirekt në ngjarjen e ndodhur në fshatin Rrjoll të Lezhës, lë mundësinë që mes palëve të ketë dhe një përballje tjetër. Sipas tij, kjo do të ketë pasoja të jashtëzakonshme.
Hoxha ka komentuar dhe veprimet e policit që ndodhej në berberhanen që u sulmua me breshëri plumbash, dhe në kushtet e vetëmbrojtjes hapi zjarr ndaj autorëve, duke thënë se reagimi i tij ka shmangur pasoja të mundshme fatale.
“Ai polici… nuk i di motivet, por reagimi i tij ka shmangur pasojat. Roli nuk është zbardhja e ngjarjes, roli do të ishte parandalimi, pra hetimi i ngjarjes së parë në mënyrë shteruese. Kjo ngjarje e dytë, me mosarrestimin e personave të tjerë, të paralajmëron që do të ketë një ngjarje të tretë.
Kjo do të kishte pasoja të jashtëzakonshme. A e mendon njeri se çfarë mund të ndodhë nëse ata përplasen në qendër të Lezhës?”, është shprehur gazetari Artan Hoxha, sot në emisionin “Shqipëria Live”.
Ai ka treguar dhe fuqinë dhe ndikimin politik që kanë në lezhë dy familjet Ndoka dhe Nikulaj, djemtë e të cilave janë përfshirë në konflikte që kanë degjeneruar deri në përdorimin e armëve të zjarrit.
“Të dyja familjet janë me ndikim shoqëror, politik, ekonomik. Të dyja familjet kanë hotele në zonën e plazhit. Kanë pasur beteja politike. Nikulajt formuan vetë një forcë politike, u përfshinë në aleanca të tjera. Ndokajt janë një familje e fuqishme, kreu i këshillit bashkiak ka qenë vëllai i madh, që nuk jeton më. Vëllai tjetër u bë deputet. Pra kemi të bëjmë me dy familje të fuqishme në zonë.
Me atentatin që iu bë Ardian Nikulajt, humbën njeriun në krye. Nëse do të ishte gjallë, kjo situatë nuk do të kishte ndodhur, sepse do të kishte kërkuar ta fliste me palën tjetër. Të dyja palët kanë armiq realë të tjerë. Ndokajt kanë kundërshtarë, kanë dhe shtetin. Nuk do donin drejtuesit t’i shtonin vetes një konflikt që nuk i dihet fundi”, ka përfunduar ai.