“Pff, kot pa lidhje”, punonjësi i Bashkisë Rrogozhinë i zhgënjyer për dënimin e Edison Memollës: Në Shqipëri po bëhet nami, këta merren me kryetarin tonë! (VIDEO)

Dënimi i kryebashkiakut të Rrogozhinës Edison Memolla me 1 vit burg për korrupsion zgjedhor, duket se nuk është pritur mirë nga punonjësit e kësaj bashkie në qendër të Shqipërisë.

Gjatë një interviste mediatike, një nga punonjësit, Shyqyri Shehu ka shprehur haptazi pakënaqësitë për dënimin e Memollës, teksa thotë se është pa fjalë.

Sipas Shehut, në vendin tonë po bëhet “nami”, ndërsa drejtësia merret me kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë.

“Thjesht jam pa fjalë, dënimi më i kotë në botë! Në Shqipëri po bëhet nami dhe këta shkojnë e merren me kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë. Kot pa lidhje”, tha ai.

Kujtojmë që ditën e djeshme, Edison Memolla u dënua me 1 vit burg për korrupsion zgjedhor. Përveç dënimit me 1 vit burg, GJKKO ka marrë vendimin për t’i hequr të drejtën për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Sipas SPAK, Edison Memolla në zgjedhjet e pjesshme ka ndikuar tek pandehuri Blerim Xhamani me detyrë elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022, si dhe komunikon me të pandehurin Blerim Xhamani, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, në këmbim të votës.

Dënimi i numrit një të Rrogozhinës do të thotë se në këtë bashki do të duhet të mbahen zgjedhje të reja për të zgjedhur kryebashkiakun e ri.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT