Publikohet AUDIO në sallën e gjyqit, Ols Dado ankohet për lobimin 220 milionë lekë të Erion Veliaj kundër SPAK, bien pretendimet se nuk do avokatët amerikanë

Një audio e regjistruar në sallën e gjyqit (sipas ligjit) ka hedhur dritë mbi një ankesë që prokurori Ols Dado ka bërë para trupës së Gjykatës së Posaçme, si përfaqësues i akuzës kundër të pandehurit Erion Veliaj, lidhur me fushatën e lobimit të kryebashkiakut të Tiranës në SHBA.

Ndryshe nga çfarë është deklaruar dhe pretenduar, sërish me qëllim të për sulmuar prokurorin Ols Dado, del se ai në fakt nuk është ankuar për avokatët amerikanë të Erion Veliaj, por për 220 milionë lekë që kryebashkiaku ka paguar në Amerikë për të sulmuar SPAK dhe prokurorin Ols Dado.

Gazeta Tema publikon momentin e deklaratës në sallën e gjyqit, ku prokurori si përfaqësues i akuzës, pasi ka mbaruar parashtrimet nga dosja kundër Erion Veliaj, e njeh trupën gjykuese edhe me këtë fushatë të paprecedentë lobimi të financuar nga kryebashkiaku i burgosur.

“Jemi vënë në dijeni për një fushatë lobimi të shtetasit Erion Veliaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një fond financimi rreth 220 mijë dollarë”, dëgjohet mes të tjerash, të shprehet prokurori Ols Dado.

Vlen të theksohet se prokurori ka qenë në qendër të këtij lobimi, duke u akuzuar nga Erion Veliaj se është arrestuar për interesa personale. Prokurori i SPAK, i referohet burimeve të hapura, pra një dokumenti që ka rrjedhur në media, për këtë lobim.

“Në gjykimin tonë kjo fushatë lobimi e cila ka shkuar deri në nivelet më të larta politike administrative të Shteteve të Bashkuara nuk përbën një mbrojtje juridike për veprimtari të funksionit politik, synon deligjitimimin e organeve që po gjykojnë aktualisht çështjen dhe tregon vullnetin e të pandehurit për të shmangur procesin penal.

Pra, mbrojtja nga procesi penal dhe jo mbrojtja në procesin penal duket se është synimi kryesor I të pandehurit Erion Veliaj gjatë këtyre muajve të hetimit paraprak por dhe të gjykimit në seancë paraprake”, shprehet më tej prokurori Ols Dado.

Pra, është fare e qartë, “me zë dhe figurë”, se prokurori Ols Dado nuk është ankuar në asnjë moment për avokatët amerikanë të Erion Veliaj, por për financimin prej 220 mijë dollarë që kryebashkiaku ka bërë kundër tij, SPAK dhe gjyqtarit të procedurës paraprake, duke u përpjekur ta paraqeste në SHBA procesin penal ndaj tij, si të ndikuar nga rrethana personale apo politike.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT